19.5 C
New York
Friday, October 25, 2024

Buy now

Asociacioni nxjerr sërish “kokën” para takimit Kurti-Vuçiq! Çfarë pritet?

- Advertisement -

14 shtatori do t’i gjejë Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takim të Nivelil të Lartë në Bruksel, pas më shumë se katër muajve që nga takimi i fundit, takim ky i cili ishte “hapi i parë simbolik” në drejtim të konkludimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, ku përveç draft-Statutit nga Ekipi Menaxhues, pala kosovare kishte ofruar edhe një “draft-Vizion” të saj, të paramenduar sipas modelit kroat për pakicën serbe në zonat e Danubit.

Nuk është thënë ende gjë zyrtarisht rreth përmbajtjes së bisedimeve dhe agjendës së takimit të 14 shtatorit, përveç asaj të njoftuar nga Përfaqësuesi Special i Brukselit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një cicërimë në Twitter, ku njoftoi se në takimin me Kurtin, kanë biseduar për “përgatitjet” për takimin e ardhshëm të Nivelit të Lartë për normalizim të marrëdhënieve dhe “zbatimin e Deklaratës së BE-së të 3 qershorit”.

Kjo Deklaratë, është përtej dialogut të Brukselit, ku 27 shtetet të unionit evropian i kërkonin Kosovës të zbatojë propozimin e saj tre-pikësh për shtensionim të situatës në veri: kryetarët të punojnë nga ndërtesa alternative, largim të njësive speciale në-dhe-rreth komuanve dhe shpalljen e samëparshme të zgjedhjeve me pjesëmarrje të plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve. Përndryshe, konkludonte ajo deklaratë, do të ketë masa ndëshkuese. Ato masa, janë punë e kryer për mëse dy muaj tash, ku Kosova për herë të parë në historinë e vendit, është e sanksionuar nga BE, ShBA dhe Gjermania.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ndonëse tha se “është ende herët për të thënë” se cila do të jetë agjenda, foli rreth asaj se cilat janë premisat e rinisjes së negociatave në Bruksel më 14 shkurt. E në veçanti, la të kuptojë ai, se Asociacioni, si parakushtëzim nga pala serbe për nisje të zbatimit të plotë të Marrëveshje së Ohrit, nuk bëhet fjalë.

Sekuencimi “duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithpërfshirës”, tha Kryeziu duke folur në një bisedë me gazetarin Fidan Jupolli, dhe se këtë e bazon te “vetë Marrëvehsja, e cila edhe tekstualisht flet për pavarësinë e neneve prej njëra tjeterës dhe të cilat duhet të zbatohen pavarësisht njëra-tjetrës”.

Ne prej fillimit, pasi treguam gatishmërinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, gatishmri që ka muguar nga Serbia, kemi thënë që MB dhe Aneksi të zbatohet shpejt, plotësisht dhe pa kushtëzime. Ne besojmë që marrëveshja bazike duhet të zbatohet e plotë dhe pa kushtëzime, ndërkaq sekuencimi duhet të jetë i drejtë i balancuar dhe gjithpërfshirës”, u shpreh zëdhënësi.

Për dialogun kohëve të fundit është aktivizuar në plotni edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili për Asociacionin është mbase më vokali prej zyrtarëve amerikanë. Por, kësaj here, ai e shtroi ca edhe më ndryshe, duke e kundërpeshuar me atë se çfarë i nevojitet edhe Kosovës: integrimi i saj në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane, e që është “punë që bëhet”, tha ai.

Të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Se Asociacioni do të bëhet, Hill e merr për të mirëqenë, dhe nuk e vendos në dyshim, por se kësaj here, e shtroi pak më ndryshe tërë çështjen, teksa rikujtoi se sa ka mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo çështje.

Për nga pikëpamja e Kosovës, ata e kthejnë kokën pas në dekadat e fundit dhe shohin se ju nevojiten hyrje/anëtarësime (foothold) më të madhe ndërkombëtare dhe kërkojnë që negociatat të përfundojnë ku ata janë në gjendje të anëtarësohen në struktura evropiane”, ka thënë Christopher Hill në një intervisë në “Nova”.

Në dritë të kësaj, Hill përfundon se “të dyja palët duan diçka që është punë që bëhet”.

Për komunitetin serb në Kosovë, Hill sërish u thirr në “nevojën” për themelimin të Asociacionit, ngase, siç thotë ai, “ata duhet të dinë se si do të duken jetët e tyre”.

Prandaj edhe ShBA’ja i jep kaq shumë mbështetje Asociacionit”.

Christopher Hill i kërkon si Prishtinës, ashtu edhe e Beogradit, që “të mësojnë” nga përvojat e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesit Special për Dialog, Miroslav Lajçak.

Sa i përket gjendjes së dialogut dhe marrëveshjes për normalizim, dhe mbarë proceseve që vinë e shkojnë me ta, Hill ka edhe një vlerësim interesant.

Nuk jemi në fund të procesit. Jemi diku kah mesi”, u shpreh ai.

Mbase mund të kemi ngecur pak në lloç, por po lëvizim para. Nuk do ta përjashtoja optizmin si mënyrë e të shikuarit gjërat. Nuk shoh arsye për pesimizëm”, ka thënë Christopher Hill.

Ku ka mbetur Asociacioni?

Në takimin e fundit të Nivelit të Lartë ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, më 2 maj, u shpalua draft-Statuti i parë i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe nga Ekipi Menaxhues, i cili, parë nga pala kosvoare, ishte tërësisht e në mëse 60 pika, “i pa pranueshëm”.

Kurti e quajti “dëshirë të zjarrtë për Republika Srpska” në Kosovë dhe si të tillë “në themel anti-kushtetues”; ndërsa propozoi një, siç tha ai, “draft-Vizion” të paramenduar simbas modelit kroat për pakicën serbe atje; s’do shumë mend, e papranueshme për Vuçiqin.

Vuçiq, po atë ditë, tha se “e goditëm murin” sa i përket Asociacionit duke folur për atë se çfarë platforme ka ofruar Kurti. Ndërkaq, ndërmjetësit megjithatë, ndonëse vërejten se vizionet e palëve “s’kishin se si të ishin më të kundërta”, e quajtën “hap simbolik” drejt themelimit të Asociacionit.

Gabriel Escobar pati vlerësuar se vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare, që të dyja “ishin serioze”, në një konferencë online për media. Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar tha se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes.

Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboronte ai. Sepse ky Asociacion, shprehej i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.

Në dritë me këtë, Escobar shprehej se ky Asociacion do të jetë “platformë për serbët etnikë” ndonëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, (kur ishte kategorikisht dhe absolutisht kundër Asociacionit) shprehej se assesi nuk mund të ketë Asociacion të ndërtuar mbi parim etnike.

Kjo platformë, sipas Escobar, do të adresojë “edhe disa prej anktheve – dhe disa prej tyre, do të thoja, janë goxho të arsyeshme – në lidhje me qeverinë qendrore në Kosovë”.

Tashmë situata është kështu, thoshte Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(…)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.

Escobar linte të kuptonte se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”, vlerësonte ai. /Nacionale/

 

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit