𝐒𝐫𝐞𝐛𝐫𝐞𝐧𝐢𝐜𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐩𝐨𝐥𝐢𝐭𝐢𝐤𝐚 𝐠𝐥𝐨𝐛𝐚𝐥𝐞 𝐞 𝐦𝐨𝐡𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞̈ 𝐠𝐣𝐞𝐧𝐨𝐜𝐢𝐝𝐢𝐭
𝑇𝑟𝑒 𝑑𝑒𝑘𝑎𝑑𝑎 𝑝𝑎𝑠 𝑒𝑘𝑧𝑒𝑘𝑢𝑡𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑚𝑒̈ 𝑠ℎ𝑢𝑚𝑒̈ 𝑠𝑒 8,000 𝑏𝑢𝑟𝑟𝑎𝑣𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑑𝑗𝑒𝑚𝑣𝑒 𝑚𝑢𝑠𝑙𝑖𝑚𝑎𝑛𝑒̈ 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑜𝑠𝑛𝑗𝑒, 𝑏𝑜𝑡𝑎 𝑣𝑎𝑧ℎ𝑑𝑜𝑛 𝑡𝑒̈ 𝑏𝑒̈𝑗 𝑣𝑒𝑡𝑒̈𝑚 𝑙𝑙𝑎𝑓𝑒 𝑝𝑒̈𝑟 𝑣𝑖𝑘𝑡𝑖𝑚𝑎𝑡 𝑒 𝑚𝑎𝑠𝑎𝑘𝑟𝑎𝑣𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑔𝑗𝑎𝑠ℎ𝑚𝑒 𝑛𝑒̈ 𝑣𝑒𝑛𝑑𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑗𝑒𝑟𝑎.
𝑩𝒆𝒔𝒂 𝑰𝒔𝒎𝒂𝒊𝒍𝒊
Tre dekada kanë kaluar nga gjenocidi në Srebrenicë, tre dekada që kur më shumë se 8,000 burra dhe djem muslimanë boshnjakë u ekzekutuan sistematikisht, ndërsa forcat ndërkombëtare, nën një mandat të OKB-së, qëndruan pasive, të paafta për të vepruar.
Edhe pse e vonuar, rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e vitit 2024 që e njeh 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për Viktimat e Gjenocidit të Srebrenicës shënon një hap të rëndësishëm por simbolik, drejt të vërtetës.
Kjo ka për qëllim institucionalizimin e kujtesës, kundërshtimin e mohimit të vazhdueshëm dhe njohjen e peshës së rëndë të krimit.
𝑷𝒐𝒓 𝒔𝒊𝒎𝒃𝒐𝒍𝒊𝒌𝒂𝒕 𝒏𝒖𝒌 𝒛𝒆̈𝒗𝒆𝒏𝒅𝒆̈𝒔𝒐𝒋𝒏𝒆̈ 𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒏𝒆̈ 𝒅𝒐𝒕
Trashëgimia më e thellë dhe më shqetësuese shkon përtej traumës së menjëhershme: ajo është në modelin e vazhdueshëm global të mohimit, shtrembërimit të historisë dhe drejtësisë selektive.
Ky model ka zhgënjyer dhe vazhdon të zhgënjejë viktimat e gjenocidit kudo, qoftë në Gaza, Siri, Ruandë, Sudan, apo në vende të tjera.
Duke zgjedhur cilat krime të njohin dhe cilat të injorojnë, komuniteti ndërkombëtar vazhdon të mirëmbajë një cikël heshtjeje dhe komploti që tradhton ata që kanë vuajtur më shumë.
Dhe ndërkohë që Serbia dhe aleatët e saj refuzuan rezolutën nën maskën e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar, pyetja shqetësuese mbetet: sa kohë do t’u lejohet atyre që janë përgjegjës për gjenocidin të shmangin jo vetëm përgjegjësinë, por edhe të vazhdojnë me mohimin e tij?
𝑹𝒂𝒔𝒕𝒊 𝒊 𝑲𝒐𝒔𝒐𝒗𝒆̈𝒔
Gjenocidi i Srebrenicës ishte pjesë e një fushate më të gjerë të pastrimit etnik në Bosnje, e kryer nga forcat serbe të Bosnjës dhe e udhëhequr nga regjimi i Milosheviçit në Serbi.
Vetëm disa vjet më vonë, i njëjti regjim e eksportoi këtë dhunë në Kosovë, ku u vranë më shumë se 13,000 njerëz, shumica e të cilëve civilë shqiptarë, rreth njëzet mijë gra u përdhunuan dhe mbi një milion u dëbuan nga shtëpitë e tyre vetëm brenda tre muajve.
Pavarësisht shkallës dhe intensitetit të kësaj fushate, ajo që ndodhi në Kosovë nuk është njohur kurrë zyrtarisht si gjenocid.
Dhe në atë mosnjohje dhe mangësi, qëndron një precedent i rrezikshëm: një ku e vërteta bëhet e negociueshme, ndërsa drejtësia bëhet një mjet ndihmës politik.
Nëpër vende që kanë përjetuar të njëjtën dhunë gjenocidale, të mbijetuarit/të mbijetuarat e krimeve të luftës, veçanërisht të dhunës seksuale, mbeten të ndarë dhe dhimbja e tyre mbetet e mbyllur brenda kufijve shtetëror apo komunitar.
Pavarësisht se kanë përjetuar modele të ngjashme brutaliteti, ka një mungesë të dukshme lidhjeje, solidariteti ose platformash të përbashkëta për shërim dhe për drejtësi.
Traumat e përjetuara nga të mbijetuarit në vende si Bosnja dhe Kosova përsëriten dhe kanë dhimbje të ngjashme me njëra tjetrën, por zëri i tyre mbetetet i padëgjuar përtej konteksteve të tyre aktuale.
Nuk ka një rrjet ndërkombtar mbështetjeje, dhe as edhe një zë të bashkuar për të dënuar pandëshkueshmërinë apo për të sfiduar heshtjen që mbron kryerësit.
Në vend të kësaj, të mbijetuarit mbijetuesit mbeten të izoluar dhe vuajtjet e tyre të fragmentuara nga kufijtë, politika dhe mungesa e një vullneti kolektiv për të pranuar dhe adresuar në tërësi gjithë përmasat e këtyre krimeve.
Kjo fragmentim e minon mundësinë për solidaritet, duke lejuar që mohimi dhe padrejtësia të vazhdojnë në rajon. Si rrjedhojë, kjo ndasi nuk është vetëm një tragjedi, por është një dështim strategjik.
Sepse, derisa viktimat mbeten të ndarë, kryerësit e gjenocidit dhe mbështetësit e tyre politikë janë të jashtëzakonshëm të bashkërenduar.
Nga Beogradi në Moskë, nga mohimi i Srebrenicës deri tek minimizimi i rastit të Kosovës, ekziston një bashkërendim i qartë gjeopolitik. Ata u bëjnë veto rezolutave, ndikojnë në tribunale ndërkombëtare dhe në mënyrë shumë aktive formësojnë narrativat për të rishkruar historinë.
Merrni, për shembull, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku ish-presidenti Hashim Thaçi, kryetari Kadri Veseli dhe liderë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) po ndiqen penalisht.
Edhe pse e themeluar nën llogon e drejtësisë dhe llogaridhënies, gjykatës iu janë shtuar kritikat për shkak të dinamikave politike që rrethojnë punës e saj duke u përceptuar si e njëanshme.
Shumë e shohin procesin e saj si të formësuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, nga narrativat që sponsorizohen nga Serbia, një shtet që vazhdon të mohojë përgjegjësinë për krimet e luftës, që nuk zbatoi Marrëveshjet e Brukselit për çështjen e personave të pagjetur,që angazhohet në akte agresioni në Kosovë (rasti I Banjskës) dhe aktivisht minon përpjekjet për drejtësi.
Këto perceptime ngrisin pyetje të vështira për drejtësinë, selektivitetin dhe implikimet më të gjera për pajtimin pas-konfliktual në rajon.
Ironia këtu qëndron ashpërsisht dhe vrazhdë: Serbia, një shtet i gjetur fajtor për gjenocidin eSrebrenicës, po tenton të riformulojë narrativën ndërkombëtare për Kosovën. Ajo ka sponsorizuar dëshmitarë, ka ndërtuar akuza të rreme dhe është paraqitur si viktimë e luftërave që ajo vet i nisi.
𝑬𝒏𝒅𝒆 𝒏𝒆̈ 𝒑𝒓𝒊𝒕𝒋𝒆 𝒕𝒆̈ 𝒅𝒓𝒆𝒋𝒕𝒆̈𝒔𝒊𝒔𝒆̈
Dhe ende, bota mbetet kryesisht e heshtur. Komuniteti ndërkombëtar, në vend që të përballet me këto kontradikta, fragmenton dhimbjen duke e njohur atë për disa dhe duke injoruar këtë dhimbje për disa të tjerë.
Drejtësia nuk mund të vazhdojë të përdoret si një armë që barazon agresorët me ata që i rezistuan shfarosjes.
Asnjë tribunal nuk mund të çlyejë një gjenocid të mbështetur nga shteti, dhe as ndjekja penale e atyre që u ngritën spontanisht në mbrojtje të popullit të tyre nuk mund të shërbejë si një zëvendësim për mbajtjen përgjegjës të arkitektëve të vërtetë të gjenocidit.
Drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe parimore, jo selektive dhe jo e politizuar. Drejtësia duhet të vihet në shërbim të atyre që vuajtën, dhe jo të qetësojë ata që vazhdojnë të mohojnë, shtrembërojnë dhe shmangin përgjegjësinë.
Është thellësisht shqetësuese që institucionet ndërkombëtare juridike mbeten të ndikueshme nga ndikimi gjeopolitik.
Që drejtësia globale të jetë e besueshme, këto mekanizma duhet të dallojnë qartë mes luftërave legjitime për çlirim dhe vetëvendosje në një anë dhe akteve të agresionit, ato duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre për të siguruar llogaridhënie nga ata që janë vërtetë përgjegjës për krimet e luftës.
30 vjetori i gjenocidit të Srebrenicës nuk duhet të bëhet një tjetër ritual simbolik. Duhet të jetë një pikë kthese: një moment për të lidhur duar përtej komunitetesh, përtej kufijve, përtej historive të dhimbjes.
Duhet të jetë fillimi i një epoke të re uniteti mes viktimave, një front i fuqishëm kundër mohimit dhe një kërkesë e qartë që e vërteta të respektohet, drejtësia të vendoset dhe historia të mos rishkruhet.
*𝑲𝒚 𝒂𝒓𝒕𝒊𝒌𝒖𝒍𝒍 𝒇𝒊𝒍𝒍𝒊𝒎𝒊𝒔𝒉𝒕 𝒆̈𝒔𝒉𝒕𝒆̈ 𝒑𝒖𝒃𝒍𝒊𝒌𝒖𝒂𝒓 𝒏𝒆̈ 𝒈𝒋𝒖𝒉𝒆̈𝒏 𝒂𝒏𝒈𝒍𝒆𝒛𝒆 𝒏𝒆̈ 𝑻𝑹𝑻 𝑾𝒐𝒓𝒍𝒅 https://trt.global/world/article/4821a41a3947
*Fotoja e shtuar nga arkiva ime