0.3 C
New York
Thursday, February 5, 2026

Buy now

“Asnjë shans ta fitojë padinë”: Përplasja e sertë Osmani – Martens, qysh nisi dhe çka u tha

- Advertisement -
Padi për vështrime dhe analizën politike.

Kështu ka (para)lajmëruar Presidenca e Kosovës se do të veprojë ndaj Michael Martens-it, redaktorit dhe kolumnistit të Frankfurter Algemeine Zeitung.

Tregimi nisi me ‘dokumentarin’ që ka ngritur vetulla në ajr dhe shkaktuar parehati anegjerë botës: “Melania” të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kritikët filmikë e politikë kanë pasur kualifikime si “torturë dyorëshe vetëkrekosjeje” e deri në “hagjiografi” – ndërsa rejtingu i atij filmi në Rotten Tomatoes është veçse 6%.

Vjosa Osmani e lartësoi në mënyrë ekstravagante këtë prodhim kinematografik me zë e figurë dhe, me ç’pasoi, ishte një koment i rëndë nga Michael Martens.

Gjermani e pa për suspendim intelektual dhe e panevojshme për intereset kombëtare të Kosovës që Osmani të lëshohej në aso lavdatash.

Dhe këtu i dha oktavat e serta: “prostitucion intelektual vetëposhtërues”, e quajti ai.

Çka pasoi ishte një reciprokim po aq i ashpër nga Presidenca e Kosovës.

Rinor Nuhiu, këshilltar i Vjosa Osmanit, e quajti “të kalbur në mendim” dhe “të sëmurë”.

Fill pas tij, vërshuan mbështetës të Vjosa Osmanit me komente po aq fyese ndaj Martens-it, për çka, njërit prej tyre (profil me emrin “Guxo”) ky i fundit ia ktheu “Prindon, a je ti?”.

Dhe, erdhi shkrimi prej opinionisti në FAZ ku u paranjoftua padia.

Martens hedhi një mori vështrimesh për lojtarinë politike të Vjosa Osmanit, për çka u thirr në informacion të veta se Vjosa Osmani po e shfrytëzon një letër që ajo supozon ta ketë, për t’u rizgjedhur.

Letrën se është “kandidate e Trump-it”, e shkruajti Martens.

Qasjen deri në Davos për t’u nënshkruar në Bordin e Paqes, Martens shkroi se e ka marrë (e shkroi “pretendohet”) nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë, dhe e ka bërë pa dijeninë e Albin Kurtit, i cili e ka në dorë rizgjedhjen e saj në rend të parë.

  • “Osmani u paraqit krenarishëm në Zvicër krahas presidentit amerikan dhe që atëherë ka folur për arritjen e madhe të bërjes së vendit të saj anëtar themelues të këtij organizmi. Sipas informacioneve jozyrtare nga Prishtina, ajo e bëri këtë lëvizje pa u konsultuar me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Përkundrazi, pretendohet se ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai që lehtësoi qasjen e Osmanit te Trump. Rama ka lidhje me familjen presidenciale amerikane sepse ai i dha dhëndrit të Trump-it, Jared Kushner, kontratën për një projekt pasurish të paluajtshme miliarda dollarësh në bregdetin mesdhetar shqiptar. Kryeministri i Shqipërisë nuk e duron dot Kurtin, liderin politik më popullor mes shqiptarëve në Ballkan. Prandaj, ai shfrytëzon çdo mundësi për të forcuar Osmanin si rivale të Kurtit”.

Fotografia e Martens-it për Vjosa Osmanin s’është në dritë të PR-it aspak. Leximet e Martens-it e japin presidenten në largim kosovare si një grua politikane, përkatësisht “Realpolitikane” e cila bën çmos për të qëndruar në pushtet.

Fill pas kësaj Presidenca e Kosovës njoftoi se do ta padisë.

Këshilltari i vet, Rinor Nuhiu njoftoi se Vjosa Osmani, po shqyrton masa ligjore në Gjermani ndaj gazetarit Michael Martens për shpifje dhe dezinformim.

“Presidentja Osmani i hedh poshtë kategorikisht këto pretendime shpifëse dhe përhapjen e rrezikshme të dezinformimit. Janë duke u shqyrtuar të gjitha mjetet ligjore për mbrojtjen e integritetit të institucionit dhe të shtetit që ajo përfaqëson”, ka shkruar Nuhiu në platformën “X”.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka thënë se “nuk ka asnjë shans të fitojë” Presidenca e Kosovës në padinë e paralajmëruar ndaj gazetarit të Frankfurter Algemeine Zeitung, Michael Martens, pas opinion/analizës së këtij të fundit të botuar në FAZ, i cili ngre çështje se Osmani po synon të rizgjedhet presidente duke e luajtur kartën e “kandidates së Trump”.

“Kjo padi, nëse ushtrohet pranë gjykatave gjermane apo cilësdo gjykatë ku sundon ligji, nuk ka asnjë shans të fitohet. Ajo që do të fitojmë është vetëm reputacioni i përdorimit të padive të pabaza dhe abuzive nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kundër gazetarëve dhe mediave gjermane”, tha Kusari.

“Për mua, shqetësues por aspak befasues, është fakti që zyra e presidentes përmend ligjin penal si formë kërcënimi ndaj Martens ndonse shpifja ndiqet sipas ligjet civil në Gjermani dhe përmend fjalën dezinformatë për një shkrim të botuar nga gazeta prestigjioze FAZ”, tha ajo. /Nacionale/

Të ngjashme

Të fundit