Ndeshja Kosova – Komoret do të mbetet veçanërisht e paharrueshme për Fisnik Asllanin, i cili ka realizuar golin e tij të parë me fanellën dardane.
Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar një tjetër fitore bindëse në kuadër të ndeshjeve miqësore të qershorit, duke e mposhtur përfaqësuesen e Komoreve me rezultat 4-2 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sulmuesi i formuar si futbollist në Gjermani ka shënuar në minutat shtesë të ndeshjes, duke e vulosur triumfin e Kosovës 4-2 dhe ai nuk i ka fshehur emocionet, duke e cilësuar këtë moment si përmbushje të një ëndrre të kahmotshme.
“Dikur e kam pasur ëndërr të shënoj një gol për Kosovën, sot e realizova. Jam jashtëzakonisht i lumtur që arrita ta bëj realitet dhe sidomos që i bëra krenar familjen time, që ishte në stadium duke më përkrahur”, është shprehur Asllani pas ndeshjes.