Më shumë se dy javë më parë, Kuvendi i Kosovës u shpall i konstituuar pasi zgjodhi edhe nënkryetarin e pestë të saj, nga ana e komunitetit serb, Nenad Rashiq. Diçka e tillë u arrit pas muajsh bllokade e disa aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilat u përdorën si rrugëdalje nga ngërçi që kishte kapluar këtë institucion. Megjithatë, kësaj gjykate i doli punë sërish. Kjo pasi që, Lista Srpska, pati sërish ankesa, kësaj herë për zgjedhjen e Rashiqit. Këta të fundit argumentuan se zgjedhja e Rashiqit është jokushtetuese dhe shkelje e rregullores, shkruan Gazeta Express.
Kjo ankesë e Listës Srpska krijoi pikëpyetje mbi atë se si mund të ndikojë gjykimi i Kushtetueses në fazën e krijimit të qeverisë.
Njohësit e çështjeve juridike e kushtetuese, deklaronin se Kushtetuesja mund të vendos për një masë e cila do të “pengonte” të paktën për një kohë, krijimin e qeverisë së re.
Kësisoj ishte thënë nga Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ky i fundit pak ditës pas ankesës së Listës Srpska, kishte deklaruar se Kushtetuesja do të mund të vendos masë të përkohshme sa i përket krijimit të qeverisë.
“Unë besoj që këto ditë, ose javën e ardhshme mund të kemi një njoftim nga ana e Gjykatës Kushtetuese nëse eventualisht do të vendoset masa e përkohshme sa i përket ecurisë së mëtejshme të formimit të qeverisë, punës së Kuvendit e të tjerave. Kërkesa është dorëzuar, dhe besoj që kjo kërkesë duhet të trajtohet në një afat sa më të shpejtë në atë mënyrë që të mos lejohet të hyjmë në një fazë tjetër ose të hyjmë në një procedurë tjetër të formimit të qeverisë dhe hipotetikisht nëse veç gjendet që ka shkelje Kushtetuese, atëherë do të duhej Gjykata të vendosë për t’i anuluar të gjitha pasojat ose të gjitha ato veprime që janë zhvilluar si pasojë e shkeljes së Kushtetutës,” kishte thënë ai.
Por, një gjë e tillë s’ndodhi. Komentet e Kushtetueses e as aktgjykimi i saj s’u dhanë. Kësisoj, Lëvizja Vetëvendosje, me 26 tetor e hodhi në votim para deputetëve kabinetin qeveritar, me qëllim të krijimit të qeverisë. Megjithatë, pa sukses. Albin Kurti dështoi t’i siguronte 61 votat e nevojshme.
Çfarë do të thoshte një aktgjykimin i Kushtetueses në favor të Listës Srpska edhe pse Kushtetuesja mund të mbetet prapa zhvillimeve politike.
Për këtë, Ehat Miftaraj, nga Institutit të Kosovës për Drejtësi, kishte thënë se nëse ndodh, atëherë, Kuvendi detyrohet të votojë sërish.
“Kjo do të thotë që Kuvendi nuk konsiderohet ende i konstituar. Do ta detyrojë Kuvendin të votojë sërish, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, për një nënkryetar nga komuniteti serb, i propozuar nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti”, kishte deklaruar Miftaraj për Radio Evropën e Lirë.
Që procesi kthehet në pikën zero, pohon edhe Albert Krasniqi nga D+. Ky i fundit në një prononcim për Gazetën Express, ka thënë se nëse Kushtetuesja vendos se zgjedhja e Rashiqit është jokushtetuese, atëherë do të anuloheshin të gjitha vendimet pasuese të Kuvendit.
Porse, shton Krasniqi, mungesa e masës së përkohshme tregon se një zhvillim i tillë është pak e mundshëm.
‘‘Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të ankesës së Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit, vendimet pasuese të Kuvendit, përfshirë edhe votimin e Qeverisë, do të anuloheshin. Kjo do ta kthente procesin në pikën e votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb dhe do të riaktivizonte afatin për konstituimin e Kuvendit. Megjithatë, mungesa e një mase të përkohshme tregon se një zhvillim i tillë është pak i mundshëm’’, ka thënë ai.
I pyetur edhe për afatet që mund të ketë Kushtetuesja për vendime të tilla, ai ka thënë se nuk ka afat të përcaktuar.
‘‘Gjykata Kushtetuese nuk ka afat të përcaktuar për marrjen e vendimit, por rastet me interes të lartë publik, siç është konstituimi i Kuvendit, shqyrtohen me prioritet’’, ka deklaruar Krasniqi për Express.
Lidhur me afatet, në Kushtetutë, theksohet se Gjykata në rast të kontestimit të ndonjë ligji apo miratimit të vendimit nga ana e Kuvendit, ajo ka afat 60 ditë për të nxjerrë vendim mbi kontestin.
Sa i përket krijimit të qeverisë, pas dështimit të LVV-së për ta formuar atë, ‘topi është në duart’ e Presidentes Vjosa Osmani. Kjo e fundit ka deklaruar se do të mbledh të gjitha partitë për të parë se a i ka ndonjëra 61 votat e nevojshme, dhe se, kujt t’i jepet mandatari pas LVV-së. Ndërkaq, për këta të fundit, ditën e djeshme ka pasur raportime se kanë filluar të mbledhin nënshkrimet për të provuar edhe njëherë votimin e qeverisë, porse diçka e tillë s’është konfirmuar.
Nga ana e tjetër, Partia Demokratike e Kosovës, që është parti e dytë dhe parashihet që mandatari i takon asaj pas VV-së, ka deklaruar se nuk do ta pranojnë atë, duke i hapur kësisoj rrugë zgjedhjeve të reja.






