Burime ekskluzive të Klan Kosovës brenda BE-së, bëjnë të ditur se kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, është qortuar ashpër mbi zhvillimet e ngërçeve aktuale institucionale.
Klan Kosova mëson ekskluzisht tutje, se kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, nga shefat e Misioneve të BE-së i ka shkuar një letër, të cilën dhe redaksia e ka siguaruar, ku në të flitet për pakënaqësitë ndaj ekzekutivit në detyrë, referuar mosrespektimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme të datës 25 qershor 2025.
”Në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë”, theksohet ndër tjera në letrën ekskluzive që ka siguruar Klan Kosova.
”Po ju shkruaj në emër të Shefave të Misioneve të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian të pranishëm në Kosovë.
Pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës (P.A.nr.09/2025, datë 25 qershor 2025), i cili shpalli të pavlefshme Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve Nr. 01/2025 mbi Përdorimin e Pajisjeve Fiskale Elektronike, Sistemeve Fiskale dhe Programeve Fiskale Elektronike, duke u bazuar në nenin 71 të Kushtetutës që ndalon ushtrimin e funksioneve ministrore dhe parlamentare njëkohësisht, Bashkimi Evropian ka përshtatur praktikat e tij të angazhimit në përputhje me këtë vendim pas konsultimeve me Shtetet Anëtare të BE-së.
Në përputhje me këtë aktgjykim dhe në interes të qëndrueshmërisë institucionale dhe respektimit të sundimit të ligjit, vizitorët e nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së do të përmbahen, përkohësisht, nga mbajtja e takimeve me Kryeministrin në detyrë dhe ministrat brenda ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, derisa të jetë në funksion një Qeveri me mandat të plotë.
Ky vendim riafirmon përkushtimin tonë parimor ndaj sundimit të ligjit, llogaridhënies demokratike dhe integritetit institucional.
Kjo letër synon gjithashtu të shmangë çdo paqartësi apo keqinterpretim në të ardhmen, siç ndodhi gjatë vizitës së fundit të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Beograd–Prishtinë. E konsiderojmë thelbësore që angazhimet tona institucionale të jenë plotësisht të harmonizuara me kuadrin kushtetues të Kosovës dhe vendimet e gjykatës më të lartë të saj.
Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj angazhimit konstruktiv dhe është i gatshëm për kontakte dhe koordinim thelbësor. Zyrtarët e lartë të BE-së dhe të Shteteve tona Anëtare do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me homologët përkatës për të siguruar vazhdimësinë në fushat kyçe të bashkëpunimit.
Besojmë se kjo masë do të kuptohet në frymën e respektit të ndërsjellë dhe në dritën e përkushtimit tonë të përbashkët ndaj qeverisjes së mirë dhe parimeve demokratike që gjithmonë kanë udhëhequr partneritetin tonë.
Gjithashtu, shpresojmë sinqerisht që një qeveri me mandat të plotë të formohet pa vonesa të mëtejshme, në mënyrë që të mund të rifillojmë bashkëpunimin e plotë me BE-në dhe të thellojmë më tej marrëdhëniet tona politike dhe ekonomike.
Me sinqeritet