Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), përmes raportit mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë, ka treguar se janë regjistruar 3 mijë e 86 biznese në tre mujorin e parë të vitit 2023.
Siç ka raportuar ASK-ja kjo është një rritje 17.7 për qind, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2022.
E kur krahasohet me tremujorin e parë të vitit 2022, rezulton që trejmuori i parë i këtij viti ka një rritje të hapjes së bizneseve për 9 për qind.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 762 ndërmarrje të regjistruara (24.7 për qind ); Prodhimi me 353 ndërmarrje të regjistruara (11.4 për qind ); Ndërtimtaria me 325 ndërmarrje të regjistruara (10.5 për qind ); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 309 ndërmarrje të regjistruara (10.0 për qind ); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 271 ndërmarrje të regjistruara (8.8 për qind ) etj.
Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, ishin: në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 988 ndërmarrje të regjistruara (96.8 për qind ); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar janë 69 sosh (2.2 për qind ); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar janë 19 ndërmarrje të regjistruara (0.6 për qind ); me 20 deri 249 të punësuar janë 9 ndërmarrje të regjistruara (0.3 për qind ); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është vetëm 1 ndërmarrje e regjistruar.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave prin komuna e Prishtinës me 862 ndërmarrje të regjistruara (27.9për qind ); Ferizaj me 267 ndërmarrje të regjistruara (8.6për qind ); Prizreni me 261 ndërmarrje të regjistruara (8.4për qind ); Gjilani me 172 ndërmarrje të regjistruara (5.6 për qind ); Peja me 160 ndërmarrje të regjistruara (5.2 për qind ); dhe Fushë Kosova me 124 ndërmarrje të regjistruara (4.0 për qind ). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.
Për këtë çështje të shtunën kishte shkruar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke e cilësuar këtë si sukses qeveritare në ofrimin e kushteve të të bërit biznes.