Në vitin 2024 janë regjistruar 11 mijë e 810 vdekje brenda dhe jashtë Kosovës, prej tyre 10 mijë e 137 brenda territorit të Kosovës, nga të cilat 5 mijë e 320 meshkuj dhe 4 mijë e 817 femra, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Në raportin e statistikave të vdekjeve për vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, numri i vdekjeve është rritur për 515 brenda territorit të Kosovës – në vitin 2023 ishin 9 mijë e 622 persona të vdekur, ndërsa jashtë Kosovës janë regjistruar 1 mijë e 673 vdekje ose 174 më shumë krahasuar me vitin 2023 kur kishte 1 mijë e 499 vdekje.
Numri i vdekjeve brenda dhe jashtë Kosovës 2023, krahasuar me vitin 2024
Sipas komunave ku kanë ndodhur vdekjet, prin Prishtina me 2 mijë e 795, Prizreni 1 mijë e 032, Peja 712 vdekje. Foshnje të vdekura në vitin 2024, të ndodhura vetëm në Kosovë ishin 126, dhe pjesëmarrja e tyre në gjithsej të vdekur ishte 1.2 për qind. Nga këto foshnje të vdekura 70 raste ishin meshkuj ose 55.6% dhe femra 56 raste ose 44.4%.
Foshnje të vdekura deri 6 ditë ishin 94 ose 75.2%; foshnje të vdekura nga 7 deri 27 ditë ishin 18 ose 14.4%; dhe foshnje të vdekura nga 28 deri në 364 ditë ishin 13 ose 10.4%.
Mosha mesatare e personave të vdekur në vitin 2024 ishte 72-vjeç, prej tyre për meshkuj 70-vjeç, dhe për femra 74-vjeç.