4.2 për qind shtrenjtim të çmimit kanë pësuar banesat në nivel vendi këtë vit krahasuar me çmimet në vitin 2024. Kjo qe një nga statistikat e shpalosura sot në publikimin e Indeksit të Çmimeve të Pronave Banesore nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Avni Kastrati, drejtor i ASK-së ka thënë se veçantia e këtij indeksi qëndron te fakti që po realizohet të parën herë dhe do të shërbejë edhe në arenën ndërkombëtare.

“Është shumë i rëndësishëm sepse përveç institucioneve qendrore e lokale, do t’ju ndihmoj edhe atyre private që merren me patundshmëritë”, ka thënë ai.

Ky indeks ka analizuar gjendjen praktike ndërmjet viteve 2018 – 2025.

“Në nivel vendi, çmimet e pronave banesore u rritën me 4.2% në tre mujorin e dytë të vitit 2025, krahasuar me tre mujorin e dytë të vitit 2024. Rajoni i Prishtinës shënoi rritje prej 6.5%, ndërkaq rajonet e tjera të vendit pati rritje më të lehtë prej 0.7%”, ka thënë Gëzim Ahmeti, zyrtar për statistika të çmimeve.

“Indeksi i çmimeve të pronave të banimit , ka një trend të rritjes prej 2018 që nisë me 100.0 ndërkaq në 2024 me 118. 1%”, vazhdoi Ahmeti.

Në anën tjetër publikimi i këtij Indeksi u përkrah edhe nga Banka Qendrore e Kosovës. “Prej mënyrës se si lëviz ky indeks shohim se a kemi rritje apo ngadalësim të ekonomisë. Pikërisht për këtë arsye është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vlerësimin makro ekonomik të situatës dhe për neve për politikbërjes”, ka thënë zëvendës guvernator i BQK-së, Milot Cakaj.