Ka dështuar edhe sot konstituimi i Kuvendit.
Nuk ka pasur kuorum për votim të fshehtë.
Deputetët e opozitës edhe sot u përplasën me kryesuesin Avni Deharin.
Në anën tjetër, shoqëria civile ka kërkuar nga partitë ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
VV-ja insiston në votimin e fshehtë dhe Albulena Haxhiun, opozita kundërshton.
Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.
Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.
Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.
Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.
VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.
Gjykata Kushtetuese ka dhënë afat 30 ditë për ta kryer këtë punë. Por, as kjo nuk po respektohet.
Takimi i partive me Kurtin, vetëm sa nxiti debate më të mëdha.
Takimi i zhvilluar të shtunën, me iniciativën e deputetit Albin Kurti, nuk arriti të sjellë asgjë më shumë përveçse tensione të ripërtërira dhe akuza të ndërsjella. Ndonëse takimi zgjati mbi dy orë, ai u cilësua nga PDK-ja dhe LDK-ja si një manovër boshe për të simuluar angazhim politik, e jo ndonjë drejt kompromisit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, akuzoi Kurtin për aktrim për vazhdimin e një qasjeje obstruksioniste. “Takimi i ftuar nga Kurti për të aktruar mbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë“, tha ai.
Ndërsa kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti takimin një “farsë publike”, duke kritikuar mungesën e sinqeritetit të Kurtit për të ndërtuar një shumicë funksionale parlamentare. Sipas tij, interpretimi selektiv i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Kurtit nuk ndihmon, përkundrazi, e thellon ngërçin.
Abdixhiku theksoi se, me përfundimin e afatit kushtetues më 26 korrik, Kosova mund të përballet me një situatë të pashembullt juridiko-politike. “LDK-ja shpreson në ndërhyrjen e presidentes Osmani, pasi kriza është kthyer në një rrezik serioz për funksionalitetin e shtetit,” shtoi ai.
Përballë këtyre kritikave, Albin Kurti doli në konferencë për media, ku tentoi të paraqesë Vetëvendosjen si palë konstruktive në proces. Ai përmendi konceptet e “bashkëpunimit në mirëbesim” dhe “konsultimit konstruktiv” si dëshmi të përkushtimit të tij ndaj zgjidhjes së krizës. Por deklaratat e mëtejshme të tij – ku ai hodhi poshtë çdo mundësi reale për të ndërruar kandidatin brenda rregullave kushtetuese – e minuan narrativën e kompromisit.
“Cili është kuptimi i fitores në zgjedhje nëse institucionet udhëhiqen nga të humbësit?” – ishte pyetja retorike që shënoi vijën e kuqe të liderit të VV-së ndaj bashkëpunimit real ndërpartiak.
Ndërkohë, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e shprehu hapur zhgënjimin për mungesën e përqendrimit në çështjen thelbësore – zgjidhjen e krizës. Ai tha se diskutimet rreth interpretimeve të aktgjykimit ishin të panevojshme dhe se “krizat politike si kjo nuk zgjidhen nga gjykatat, por nga vullneti politik.”
“Kriza politike si këto zgjidhen me marrëveshje politike, edhe aktgjykimi i Gjykateës Kushtetuese ka bërë këtë udhëzim, dhe ata që kanë pritur se aktygjykimi do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatave, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese dhe vetë sistemin kushtetues”.
“Kriza politike si këto zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka bërë këtë udhëzim, dhe ata që kanë pritur se aktgjykimi do të zgjidhë krizën politike, nuk e njohin mirë funksionimin e gjykatave, në këtë rast Gjykatën Kushtetuese dhe vetë sistemin kushtetues”, tha ai.