20.7 C
New York
Sunday, August 24, 2025

Buy now

Artur Zheji, miku që i dha fjalë Kosovës

- Advertisement -

Shkruan: BATON HAXHIU

Nuk dua ta shkruaj si in memoriam, sepse Artur Zheji nuk hynte në ritualet e mbylljeve te mia.

Ai ishte njeri që hapte gjithnjë dritare dhe rrëfime, edhe kur ato nuk ecnin në një vijë të drejtë, por merrnin kthesa të çuditshme. Ishte i veçantë në nacionalizmin e tij.

E kam njohur për herë të parë në Romë, në vitin 1992, në kongresin e Partisë Radikale.

Kishim dy vjet që komunikonim me telefon dhe me atë internetin e lodhur të kohës, por aty u pamë sy më sy.

Delegacioni nga Kosova kërkonte një rezolutë për pavarësinë, në një kohë kur askush nuk e shqiptonte dot hapur këtë fjalë.

Zheji dhe Edi Rama e shkruan tekstin në italisht, dhe me ndihmën e Marco Panellës, rezoluta u bë dokument zyrtar.

Ishte hera e parë që fjala “pavarësi e Kosovës” u vulos në një kongres ndërkombëtar.

Zheji e kishte me pasion këtë çështje, si një borxh shpirtëror që i vinte prej nënës së tij, Besës, dhe prej Petro Zhejit që në Kosovë ishin emra të njohur.

Në vitet e luftës kaluam orë e ditë të tëra në Maqedoni, në takime me drejtuesit e UÇK-së, me Arbër Xhaferin e Menduh Thaçin.

Ai nuk e shihte luftën si kronist, por si pjesëmarrës. Shkruante me pasionin e një luftëtari.

Pas hyrjes së trupave të NATO-s, hyri bashkë me mua në Kosovë, qëndroi me javë dhe hodhi në letër çdo shenjë të djegur, çdo plagë që kishte lënë Serbia.

Aty e pashë më qartë se kush ishte: një gazetar që nuk gjente qetësi, sepse bënte të vetën dramën e një populli.

Në Shqipëri kishte një miqësi të ngrohtë me Fatos Nanon dhe e mbante Ramën mik, pa hyrë kurrë në politikë.

Ka provuar drejtimin e televizionit publik, emisionet, analizën. Shumë gjëra i ka bërë me ngulm, por asnjëherë nuk e gjeti qetësinë e gjatë.

Ishte i mbërthyer nga pasioni për shkrimin, për bisedën, për debatin dhe më shumë se ç’duhej, për ushqimin.

Ishte një dëshirë që i shtohej si ritëm i brendshëm, ndoshta për ta mbajtur gjallë pasionin e jetës.

Por trupi nuk ia mbajti dot ritmin. E shpërfilli shëndetin, nuk iu përkul kurrë rregullit të diabetit, dhe kështu, në fund, kaloi në botën tjetër.

Artur Zheji ishte mik me hidhërime dhe pajtime, por kurrë me mllef. Ai mbeti gjithmonë një portë që më njohu me Shqipërinë e tij, një rrëfimtar i Kosovës së besës që ia kishte mësuar nëna, dhe një shok që nuk e ndau dot pasionin nga jeta.

Sot, kur e kujtoj, nuk më del as in memoriam, as përshëndetje e fundit. Thjesht më del si një histori që nuk mbyllet. Sepse Zheji nuk e pranoi kurrë mbylljen.

Të ngjashme

Të fundit