Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka firmosur kontratë të re trivjeçare që e mban në krye të klubit deri në vitin 2027.
Spanjolli, i cili iu bashkua Arsenalit në vitin 2019, ishte në vitin e fundit të kontratës së tij, por ka arritur marrëveshje për rinovim përpara derbit kundër Tottenhamit të dielën, më 15 shtator.
“Jam jashtëzakonisht krenar, shumë i emocionuar dhe mezi pres për atë që do të vijë. Ndihem shumë me fat që punoj çdo ditë me njerëz të mirë dhe me ambicien që kemi këtu. Ndjehem i frymëzuar, i sfiduar dhe i mbështetur dhe dua të bëjmë shumë më tepër se çfarë kemi arritur deri tani”, ka thënë trajneri spanjoll, pas hedhjes së nënshkrimit në letër.
Arsenal e ka nisur sezonin aktual me dy fitore dhe një barazim në tri ndeshje.