Mungesa e barnave dhe terapive esenciale është bërë pothuajse e zakonshme në QKUK.
Së fundmi ka mbetur pa target terapinë Klinika e Onkologjisë me të cilën trajtohen një numër jo i vogël i pacienteve me kancer të gjirit, pra që është tabletare, Palbociclib.
Bari ky që është shtuar rishtas në Listën Esenciale si terapi e shtrenjtë dhe që kushton shumë në tregun privat, raporton Klan Kosova.
Në kushte anonimiteti, gratë që e marrin këtë terapi janë shprehur të shqetësuara ngase siç thanë ato nuk janë të informuara se kur klinika do të furnizohet me të apo cila është alternativa dhe sa ndikon ndërprerja e saj në shëndetin e tyre.
Bazuar në përgjigjen e ShSKUK-së, nuk dihet se kur do të ndodhë furnizimi.
Pos target terapisë, mungojnë edhe dy cistostatikë si Cyclophosphamide dhe Doxorubicin që aplikohen në kimioterapi dhe terapi suportive. Pacientet i thanë Klanit se këto nuk janë përgjatë dy seancave të fundit të terapisë onkologjike, e blerja e tyre po ju kushton diku 100 euro.
Krahas këtyre, gjatë të hënës dhe të martës në terren, televizioni ka takuar edhe familjarë të pacientëve që po trajtohen në njësinë e Mjekimit Intensiv Qendror, ku po detyrohen t’i blejnë vetë edhe ampullat më bazike të LE, si Vitaminën C, B-Complex, Kaliumin dhe të tjera.
Për Vit C nga ShSKUK thonë se tashmë është lidhur kontrata e re dhe do të bëhet furnizimi në sasi të mjaftueshme, kurse për Kaliumin bëjnë me dije se tenderi ka dështuar dhe se e njëjta është riinicuar. /Klankosova.tv






