Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi Aktgjykimin e plotë ku u konstatua uzurpimi procedural dhe tejkalimi i kompetencave formale dhe solemne nga Avni Dehari për të imponuar formimin e komisionit për votim të fshehtë që nga seanca konstitutive e e datës 29 qershor 2025. Kjo, në termat më të qartë, u shpall jokushtetuese. Me aktgjykimin (KO193/25 dhe KO196/25), Kushtetuesja jo vetëm që e rrëzoi në tërësi arbitraritetin e Kryesuesit të Seancës Konstituive për tejkalim të rolit të tij kushtetues, por gjithashtu sqaroi se kandidatët për Kryetar të Kuvendit mund të propozohen vetëm deri në tre herë – interpretim që u nxor duke u bazuar në analogji me zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
Gjykata Kushtetueses konstatoi se Kryesuesi i Seancës Konstituive shkelte dispozitat kushtetuese duke ndryshuar rendin e ditës dhe duke shtyrë përpara një mekanizëm të votimit të fshehtë që nuk parashihet në Rregulloren e Kuvendit si akt ligjor. Duke iu referuar nenit 8.4 të Rregullores së Punës së Kuvendit, Gjykata theksoi se Seanca Konstituive ka një rend të vetëm të ditës strikt dhe të pandryshueshëm: verifikimi i mandateve, dhënia e betimit të deputetëve, zgjedhja e Kryetarit dhe zgjedhja e Nënkryetarëve. Me përpjekjen për të futur një hap shtesë – krijimin e një komisioni për votim të fshehtë – Kryesuesi tejkaloi kompetencat e tij, e konstatuar shprehimisht nga GjK.
Aktgjykimi tha se: “Rendi i ditës i seancës konstituive është i pandryshueshëm dhe nuk mund të ndryshohet pas fillimit të saj.”
Gjykata deklaroi gjithashtu se veprimet e Kryesuesit përbënin shpërfillje të hapur të aktgjykimit të saj të mëhershëm (KO124/25), i cili i kishte urdhëruar deputetët që të përfundonin Seancën Konstituive brenda 30 ditësh me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve. “Kryesuesi i Seancës Konstituive nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës… dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës.”
Gjykata rikujtoi gjithashtu se Kushtetuta nuk parashikon votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. “Kushtetuta nuk përcakton mënyrën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.”
Pse një kandidat mund të propozohet vetëm tre herë
Sqarim i rëndësishëm në aktgjykim lidhet po ashtu me numrin e herëve që një kandidat për Kryetar të Kuvendit mund të propozohet. Gjykata përfundoi se një kandidat mund të paraqitet vetëm deri në tre herë, duke u mbështetur në logjikën e dispozitave kushtetuese analoge.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi: “Votimi i hapur për Kryetarin e Kuvendit mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.”
Ky interpretim bazohet në parimin e funksionalitetit institucional. Gjykata përdori analogji me nenin 86 të Kushtetutës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, i cili lejon vetëm tre raunde votimi para se të shpallen zgjedhje të reja, dhe me ligjin që rregullon Avokatin e Popullit, i cili gjithashtu kufizon ripropozimet.
Aktgjykimi thekson: “Kufizimi i numrit të propozimeve është thelbësor për të shmangur bllokimin e institucioneve dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë.”
Mesazhi që doli:
Kuvendi duhet të respektojë rendin kushtetues, deputetët duhet të kryejnë detyrat e tyre me transparencë përmes votimit të hapur, ndërsa forcat politike duhet të gjejnë konsensus brenda kufijve të Kushtetutës dhe jo përmes obstruksionit proceduror.
Siç thekson vetë Gjykata: “Deputetët e zgjedhur të Kuvendit… janë të obliguar të përfundojnë seancën konstituive duke zgjedhur Kryetarin dhe Nënkryetarët e tij brenda 30 ditëve