26.7 C
New York
Wednesday, October 1, 2025

Buy now

Arsyet prej Hajdari iu bashkua Kosovës

- Advertisement -

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” i ka kushtuar një tjetër shkrim të martën Albian Hajdarit, pas vendimit të mbrojtësit për të luajtur për Kosovën e jo për Zvicrën.

Në shkrimin e gjatë gazeta zvicerane ka dhënë disa arsye që e kanë shtyrë 22-vjeçarin t’i bashkohet Kosovës.

Si arsye të parë “Blick” ka përmendur rastin që nuk ia kishte dhënë Zvicra të debutonte në ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Serbisë dhe Spanjës.

Sipas gazetës zvicerane, Hajdari nuk luajti ndaj Spanjës për shkak se “nuk ndihej 100 për qind gati”.

“Blick” ka kujtuar ftesën që selektori i Zvicrës, Murat Yakin, ia kishte bërë Hajdarit për përgatitjet për Kampionatin Evropian verën e kaluar. Por Hajdari nuk u përfshi në ekipin final të Zvicrës për Evropian. Madje as nuk u grumbullua.

“Pushime verore në vend të ëndrrës për të qenë në Kampionatin Evropian. Zhgënjimi ishte i madh”, vazhdon shkrimin kjo gazetë.

Pas Evropianit, Yakini nuk llogariti në Hajdarin për ndeshjet në Ligën e Kombeve. “Zhgënjimi u shtua”, shkruan tutje “Blick”.

Hajdari kishte debutuar për Zvicrën në miqësoren kundër Luksemburgut në mars. Ishte inkuadrua në pjesën e dytë.

“Fakti që një lojtar i ri pa emër si Stefan Gartenmann luajti titullar në atë ndeshje mund ta ketë zbehur gëzimin e tij për debutimin me ekipin përfaqësues”.

Pas debutimit, Hajdari, nuk u përfshi në ekip nga Yakini për kampin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në qershor.

Sipas “Blick”, Yakin e kishte kontaktuar disa herë në telefon Hajdarin pas vendimit të Leon Avdullahut për të përfaqësuar Kosovën. Gazeta zvicerane ka shkruar se Yakin i kishte premtuar se do ta kishte në konsideratë nëse 22-vjeçari do ta vazhdonte zhvillimin në Bundesligë.

“Por Yakin shpejt e kuptoi se treni ndoshta është nisur tashmë nga stacioni. Destinacioni i tij – Prishtina”, shkruan gazeta.

“Blick” ka shkruar se Hajdari ka dhënë të njëjtat arsye si Avdullau se pse vendosi t’i bashkohej Kosovës.

“Nga njëra anë mirënjohje ndaj Zvicrës, vendit të tij të lindjes dhe të arsimimit, dhe nga ana tjetër një lidhje emocionale me vendin e origjinës së familjes së tij, si dhe mundësinë për të marrë përgjegjësi futbollistike në një vend të ri”.

Të ngjashme

Të fundit