Ylli i Kosovës, Edon Zhegrova vazhdon të përballet me vështirësi për të siguruar një vend të qëndrueshëm në formacionin e Juventusit.
Sulmuesi i krahut nuk u aktivizua fare në ndeshjen e fundit ndaj Fiorentinas që përfundoi 1:1, duke shkaktuar reagime të shumta nga mediat dhe tifozët në Kosovë dhe Itali.
Gazetari italian, Dario Pellegrini ka bërë të ditur se Zhegrova u qortua nga trajneri Luciano Spalletti para ndeshjes në stadiumin “Artemio Franchi”
Kjo ndodhi pas një incidenti gjatë ngrohjes, ku Zhegrova u pa i acaruar nga thirrjet dhe fyerjet e tifozëve vendas.
Zhegrova iu drejtua publikut me një gjest në shenjë kundërpërgjigjeje, gjë kjo që aspak nuk i kishte pëlqyer Spallettit.
Trajneri italian e kishte qortuar Zhegrovën për reagimin e tij, duke theksuar se nuk është aspak e pranueshme që lojtarët të reagojnë ndaj tifozëve në këtë mënyrë.
Si pasojë e kësaj duket se Spalletti nuk e ka aktivizuar fare Zhegrovën kundër Fiorentinas.






