Profesori univeristar, Arsim Bajrami, i ka reaguar Veton Surroit, për një shkrim lidhur me librin e tij për Konferencë e Rambujesë dhe intervenimin e NATO-s.
Bajrami ka thënë se debati i nxitur nga Surroi, e ku theksi është te Hashim Thaçi, mund t’i shërbejë Prokurorisë së Hagës.
Postimi
Përgjigje ndaj shkrimit të Veton Surroit “Anatomia e një gënjeshtre” lidhur me librin “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”
Përshëndetje Veton,
E lexova me vëmendje shkrimin tuaj të botuar më 1, 2, 3 dhe 4 prill 2026 dhe më vjen keq nëse është krijuar ndonjë keqkuptim lidhur me përmbajtjen e librit tim “Konferenca e Rambujesë dhe intervenimi i NATO-s në Kosovë”, ndaj të cilit lidhet drejtpërdrejt ky reagim.
Në fillim, dëshiroj të theksoj se vetë emërtimi i shkrimit tuaj “Anatomia e një gënjeshtre” nuk i referohet përmbajtjes së librit, por një citimi të vetëm nga Jacques Baudouin, i cili është përdorur jashtë kontekstit metodologjik në të cilin ai paraqitet në libër. Citimi në fjalë nuk është trajtuar si fakt historik i verifikuar, por si një referencë sekondare që reflekton një narrativë të caktuar të pranishme në diskursin publik prej vitesh, e cila në vijim të faqeve të librit relativizohet si qasje me tendenca glorifikuese.
Në funksion të një debati të shëndoshë akademik dhe publik, po paraqes këto sqarime në mënyrë të strukturuar:
Së pari, sa i përket natyrës së citimit, referenca nga Jacques Baudouin në fusnotën nr. 369 të librit është përdorur si ilustrim i një spekulimi medial dhe jo si burim i së vërtetës historike. Ajo shërben për të reflektuar mënyrën se si janë ndërtuar disa narrativa rreth Rambujesë, duke treguar shpërndarjen e dezinformatave dhe interpretimeve selektive në diskursin publik. Nuk ka pasur asnjë qëllim që ky citim të prezantohet si fakt i pakontestueshëm.
Së dyti, vendosja e këtij citimi në fusnotë nuk është rastësore, por përfaqëson një praktikë të mirëfilltë akademike që sinjalizon distancë kritike ndaj burimit. Fusnota shërben për të veçuar burimet sekondare apo spekulative nga analiza kryesore. Për më tepër, në faqen 225 të librit kjo qasje spekulative hidhet qartë poshtë si një tendencë glorifikuese e papranueshme.
Së treti, në tekstin kryesor, veçanërisht në faqen 243 dhe në trajtimin përkatës të fusnotës 369, citimi nuk mbështetet si përfundim i autorit, por kontestohet me burime dhe interpretime të tjera të dokumentuara. Kjo siguron një qasje të balancuar dhe ndihmon lexuesin të dallojë ndërmjet spekulimit medial dhe analizës së bazuar në fakte.
Së katërti, libri thekson qartë se delegacioni kosovar në Rambuje ka funksionuar mbi bazën e unitetit dhe konsensusit. Nuk ka pasur vendime individuale jashtë këtij kuadri, çka sfidon interpretimet që tentojnë të atribuojnë rol vendimmarrës individëve të veçantë.
Së pesti, çdo kërkesë për intervenim të NATO-s, transformim të UÇK-së dhe organizim të një referendumi është paraqitur si platformë e përbashkët politike e delegacionit të Kosovës. Suksesi paraqitet si rezultat i një strategjie kolektive dhe jo i veprimeve individuale.
Së gjashti, çdo pasaktësi eventuale teknike në referenca apo tituj mbetet përgjegjësi e autorit dhe është pjesë e natyrshme e botimeve komplekse akademike. Megjithatë, këto nuk e cenojnë thelbin e analizës dhe as metodologjinë e përdorur.
Së shtati, studimi mbështetet në një qasje ndërdisiplinore, duke ndërthurur historiografinë, analizën juridike dhe reflektimin politik, me qëllim të trajtimit sa më të plotë të kompleksitetit të Rambujesë dhe intervenimit të NATO-s.
Së teti, libri shmang çdo formë protagonizmi individual të dhe nuk ndërton narrativa glorifikuese për figura të caktuara, por i trajton të gjithë aktorët në kuadër të përgjegjësive të tyre institucionale.
Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksohet se në kritikën tuaj ndaj librit, në masë të konsiderueshme nuk trajtohet vetë përmbajtja dhe qasja metodologjike e librit, por fokusi zhvendoset kryesisht te figura e z. Hashim Thaçi dhe te polemika e juaj e vjetër lidhur me rolin e tij në Rambuje dhe në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Mendoj se këtë polemikë me z. Thaçi duhet ta zhvilloni në një kontekst tjetër, kur ai të jetë i lirë nga ky gjykim i padrejtë dhe jo tani, kur kjo mund t’i shërbejë akuzave të prokurorisë speciale. Sigurisht se në kushte të tjera edhe z. Thaçi do të ballafaqohej me ju, por jo përmes librit tim dhe të drejtës sime për të shprehur lirshëm mendimet dhe vlerësimet e mia për Konferencën e Rambujesë. Unë nuk kam polemizuar me shkrimet tuaja për Rambujenë edhe kur nuk jam pajtuar me to, duke i konsideruar ato si pjesë e lirisë suaj të shprehjes.
Pa marrë parasysh tendencat e juaja për kontestimin dhe relativizimin e rolit të z. Hashim Thaçi në Rambuje, duhet pranuar fakti se lidershipi i tij fillon pikërisht në Rambuje, kur si udhëheqës politik i UÇK-së ka marrë përgjegjësinë për pranimin e një marrëveshjeje jo të përkryer për Kosovën, si një hap strategjik në rrethana të caktuara ndërkombëtare. Ky rol më pas evoluon në mënyrë të natyrshme në procesin e shtetndërtimit të Kosovës, ku ai shfaqet si një nga akteret kryesor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të fitores juridike në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe të përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Shpresoj se për këtë ka folur edhe miku ynë z. Shala, ish-këshilltar i Presidentit Thaçi, në serinë e podkasteve që keni realizuar së bashku në televizionin tuaj.
Ky devijim nga objekti i analizës e zhvendos debatin nga një shqyrtim akademik i librit drejt një diskursi politik dhe personal, duke lënë në plan të dytë vlerësimin kritik të argumenteve dhe burimeve të paraqitura në vepër.
Së nënti, në libër roli i Presidentit Ibrahim Rugova dhe i z. Hashim Thaçi trajtohet në kuadër të unitetit të delegacionit dhe suksesit kolektiv, pa asnjë tendencë glorifikimi personal.
Së dhjeti, libri vlerëson kontributin e të gjithë anëtarëve të delegacionit dhe mbështetjen vendimtare të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe shteteve të Grupit të Kontaktit, duke theksuar natyrën kolektive të suksesit politik të Kosovës.
Së fundi, qëllimi i librit është të ofrojë një analizë të argumentuar dhe metodologjikisht të qëndrueshme mbi procesin e Rambujesë dhe intervenimin e NATO-s, pa pretenduar të imponojë të vërteta absolute, por duke ndriçuar kompleksitetin e proceseve diplomatike dhe politike. Në libër dominon analiza juridike e Marrëveshjes së Rambujes dhe argumentimi juridik i legalitetit dhe legjitimitetit të intervenimit të NATO-s në Kosovë.
Në përfundim, mbetem i bindur se debati mbi Rambujenë dhe intervenimin e NATO-s në Kosovë,duhet të zhvillohet mbi bazën e korrektësisë akademike, interpretimit të përgjegjshëm të burimeve dhe respektit reciprok. Në këtë frymë, e mirëpres çdo kritikë të argumentuar dhe mbetem i hapur për dialog profesional dhe akademik.
Me këtë, unë e mbyll këtë polemikë me ju, z. Surroi, duke ritheksuar se çdo interpretim i gabuar i librit tim nuk mund të zëvendësojë analizën kritike dhe metodologjikisht të saktë të ngjarjeve të Rambujesë.
Me respekt,
Arsim Bajrami






