11.4 C
New York
Monday, November 25, 2024

Buy now

Arrihet marrëveshje për zhbllokimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë

- Advertisement -

Dy grupet më të mëdha parlamentare, ajo e socialistëve dhe demokratëve të përfaqësuar nga deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, arritën marrëveshje që zhbllokon punë e Kuvendit të Shqipërisë.

Marrëveshja është arritur në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ku është pranuar kërkesa e opozitës për ngritjen e dy komisioneve hetimore. Njëri prej tyre do të ketë si objekt të hetimi parlamentar kontratat koncensionare në shëndetësi, konkretisht atë të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe të ‘check-up’ apo të analizave shëndetësore bazë.

Komisioni tjetër hetimor do të ketë si objekt hetimi ndërhyrjen e paligjshme, sipas opozitës, në të dhënat personale të sistemit TIMS. Sipas kreut të grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi, shumica ka qenë e gatshme për ngritjen e këtyre komisioneve, por kanë pritur që përmbajtja e hetimit të tyre të përputhej me ligjin, të cilin shumica e ndryshoi pak kohë më parë, vetëm me votat e saj. Opozita e ka kundërshtuar këtë ligj, duke çuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese.

Megjithatë kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, nuk dha sqarim nëse do të pritet që fillimisht që të shprehet Gjykata Kushtetuese apo do të procedohet me ngritjen e komisioneve.

Edhe pse grupimi i Bardhit kishte kërkuar komision hetimor për katër kontrata koncensionare në shëndetësi, ai tha se u pajtuan fillimisht për dy prej tyre, pasi kishin, siç tha ai, tregues për shkelje të shumta në këto kontrata.

Krerët e grupeve parlamentare, Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi thanë se ka pajtim po ashtu që komisioni parlamentar i ligjeve të gjejë mekanizmin e duhur për të ngritur një grup pune për të krijuar dialogun politik për ligjet që duan shumicë të cilësuar prej 94 votash, si dhe për ato që janë pjesë e agjendës së integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Një tjetër kërkesë e grupit demokrat ka qenë riformatimi i përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore, i cili ka si bashkëkryetar deputetin Enkelejd Alibeaj, përfaqësues i grupit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në lidhje me këtë kërkesë, Bardhi tha se këtij komisioni i mbaron mandati me datën 21 mars, dhe më pas në diskutim edhe me OSBE/ODIHR do të vendoset për hapat e mëtejshëm.

“Jemi akuzuar prej pesë muajsh se aksioni ynë në Kuvend kishte motive të tjera, por provuam dhe mbajtëm zotimin se me zgjidhjen e tri shqetësimeve tona, Kuvendi do t’i kthehet normalitetit”, tha Bardhi.

Tri kërkesat e opozitës ishin: lejimi i kontrollit parlamentar përmes pranimit të kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore, lejimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për t’u përfaqësuar në kKomisionin e posaçëm parlamentar të reformës zgjedhore, me kryetarin dhe anëtarët që përzgjidhen nga vetë opozita si dhe shqyrtimin në kohë të propozimeve ligjore të deputetëve të opozitës, që prej dy vjetësh mbahen pezull dhe nuk futen në procedurë parlamentare.

Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha e ka cilësuar marrëveshjen “pazar mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për të goditur reformën zgjedhore”.

Ministrja për marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali, tha se nga java e ardhshme seancat pleare do t’i kthehen normalitetit, por ajo nuk u përgjigj nëse është rënë dakord që opozita të japë votat e saj për amnistinë penale.

“Kemi bërë marrëveshje, por jo pazar. Ne shpresojmë që të gjitha nismat e Qeverisë të diskutohen dhe votohen nga opozita, në të mirë të qytetarëve”, tha Spiropali.

Projektligji për amnistinë penale, prej të cilës do përfitonin rreth 700 të dënuar e të paraburgosur, u tërhoq nga votimi, pasi shumica nuk i kishte 94 votat për ta miratuar.

Kthimi në normalitet i punës së Kuvendit u vu re menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, pasi Kuvendi njoftoi se mbledhjet e komisioneve parlamentare që do të mbahen të hënën e javës që vjen dhe do të zhvillohen me prani fizike të deputetëve dhe jo online.

Prej pesë muajsh, Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar punimet mes flakadanëve, tymueseve, zhurmës dhe përplasjeve fizike. Disa prej deputetëve janë përjashtuar nga punimet e Kuvendit, ndërsa shumica ndryshoi edhe rregulloren e Kuvendit, duke ashpërsuar ndëshkimet për deputetët që krijonin skena të tilla. Për pasojë një numër i madh ligjesh kanë kaluar pa u debatuar, pasi seancat janë mbyllur brenda pak minutash pa kaluar në diskutim, por direkt në votim të ligjeve.

Marrëveshja e arritur mes palëve u përshëndet nga Ambasada amerikane në Tiranë, nga zyra e delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkombëtarët theksuan se “një Parlament funksional është kyç për procesin e integrimit” dhe ftuan deputetët të tregojnë përkushtim ndaj demokracisë në dobi të popullit shqiptar.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit