Një person është arrestuar pasditen e sotme në rrugën “Tahir Sinani” në Shtime, pasi dyshohet se nuk i ka zbatuar urdhrat e Policisë së Kosovës gjatë një intervenimi për rregullimin e komunikacionit në afërsi të shkollës profesionale.
Sipas informacioneve zyrtare, rasti ka ndodhur rreth orës 16:20, pasi Policia ka pranuar ankesa nga qytetarët se disa automjete ishin parkuar në trotuar, duke penguar lëvizjen e lirë të këmbësorëve, veçanërisht pranë institucionit arsimor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se një patrullë policore është dërguar në vendngjarje për të rregulluar komunikacionin. Mirëpo, sipas tij, i dyshuari ka shpërfillur urdhrat e zyrtarëve policorë, çka ka detyruar njësinë policore që ta arrestojë dhe ta shoqërojë në stacionin policor për procedura të mëtejme.
Ndërkohë, në pamjet e publikuara në media shihet se i dyshuari ka rezistuar ndaj tre zyrtarëve policorë, ndërsa gjatë ndërhyrjes është përdorur edhe forca.
Lidhur me rastin, Veseli bëri të ditur se është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i cili tashmë ka nisur trajtimin e tij për të vlerësuar rrethanat e ndërhyrjes policore.
Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.






