Kryeshefi i “KRU Gjakova”, Hasan Krasniqi, është arrestuar ditën e sotme në Gjakovë.

Sipas njoftimit, i njëjti dyshohet për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ky arrestim vjen pasi disa ditë më parë në media janë publikuar disa audio-incizime në të cilat dëgjohet kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim të një kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë kompaninë për të nënshkruar kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

Njoftimi i plotë:

Arrestohet një i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”

Prishtinë, 18 mars 2025 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë.

Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë.

Poashtu gjatë ditës së sotme janë kontrolluar-bastisur edhe objekti i banimit të personit të dyshuar dhe zyra e tij në KRU Gjakovë, ku janë siguruar dëshmi- prova materiale që ndërlidhen me rastin, si dhe janë sekuestruar:

-Një (1) Lap-Top

-Një (1) Telefon mobil Samsung Galaxy S22,

-Para 22.205,00 Euro,

-Barka Ranier Wit,

-Dy kontrata qe ndërlidhen me rastin.

Prokurori i rastit brenda afatit ligjor do të vendosë për masën e sigurisë së pranisë së të pandehurit në procedurë.