29.5 C
New York
Monday, July 21, 2025

Buy now

Arrestohet një zyrtar policor dhe tre qytetarë lidhur me incidentin në Ferizaj

- Advertisement -

 

Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar sot pas mesnatës një informatë nga Policia e Kosovës lidhur me një incident gjuajtje me armë zjarri ku si pasojë janë lënduar dy persona.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur në fshatin Doganaj të Ferizajt dhe i përfshirë ishte edhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare.

Hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes së bashku edhe me njësitet tjera relevante policore.

Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se incidenti ka ndodhur fillimisht  si pasojë e një mosmarrëveshjeje në trafik duke përfunduar fatkeqësisht në një incident të gjuajtjes më armë zjarri me dy persona të lënduar.

Të lënduarit (një qytetar dhe zyrtari policor) janë dërguar për trajtim mjekësor në QKUK dhe sipas mjekëve ndodhen jashtë rrezikut për jetë.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri – njëra armë zyrtare revole e llojit Glock 19, një  revole Zastava, 16 gëzhoja dhe një predhë.

Pas kontakteve me  Prokurorinë Themelore në  Ferizaj e cila është njoftuar për të gjitha veprimet fillestare hetimore, janë arrestuar katër të dyshuar (zyrtari policor dhe tre qytetarë të dyshuar) kurse të njëjtëve me vendim të prokurorisë u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet janë duke u zhvilluar në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Dhënie ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale”.

Bazuar në autorizimet ligjore, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe suspendimin e zyrtarit policor të përfshirë në këtë rast.

Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe njësitet tjera policore pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.

Të ngjashme

Të fundit