Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se është arrestuar një person dhe janë intervistuar disa të tjerë në lidhje me thirrjet raciste dhe antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar më 2 gusht, raporton RTV 21.
Gjatë ndeshjes, janë dëgjuar parulla si “Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”, thirrje të rënda me retorikë të frymëzuar nga ideologjia naziste.
Këto thirrje janë bërë në prani të figurave të larta shtetërore, përfshirë kryeministrin Hristijan Mickoski, kryetarin e Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrin e Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrin Ivan Stoilkoviq.
I arrestuari, S.M. (30), dyshohet se ka tentuar të futë brenda palestrës pankarta me përmbajtje fyese.
MPB-ja thekson se do të veprojë me tolerancë zero ndaj çdo thirrjeje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike apo fetare, dhe do të sanksionojë ashpër çdo shkelje të rendit publik.
“Vetëm brohoritjet sportive dhe të ndershme mund të sjellin sukses dhe gëzim,” thuhet në reagimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme.