Policia e Kosovës ka arrestuar një person në flagrancë për vjedhje të rëndë në tentativë, i cili po ashtu dyshohet edhe për disa vjedhje tjera të kryera në Ferizaj, raporton Ekonomia Online.
“Me datën 25.05.2024 rreth orës 03:55 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informatë, se në rrugën “Gjon Serreqi” në një lokal afarist një person kishte depërtuar me forcë dhe ishte në proces të vjedhjes. Ekipe të policisë menjëherë janë nisur në drejtim të rrugës ” Gjon Serreqi” dhe kanë arritur që ta rrethojnë zonën dhe lokalin, ndërsa në flagrancë kanë arrestuar të dyshuarin E.D, mashkull, shtetas i Shqipërisë, i moshës 28 vjeçar dhe e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas organeve të rendit, rreth orës 09:00 në stacionin e policisë në Ferizaj nga disa qytetarë janë raportuar edhe katër raste të vjedhjeve të rënda në lokale të ndryshme afariste, të cilat kanë ndodhur gjatë natës në rrugët “Enver Topalli”, “12 Qershori” dhe “Gjon Serreqi” dhe të cilat dyshohet se i ka kryer i dyshuari i arrestuar E.D.
“Hetuesit dhe krimteknikët e stacionit të policisë dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve nën autorizim të prokurorit kanë dalë për të ekzaminuar vendet e ngjarjeve dhe janë duke bashkëpunuar dhe duke i verifikuar të dhënat tjera, nën dyshimin se ka qenë i përfshirë edhe në disa raste tjera të vjedhjeve të rënda në Ferizaj”, thekson Policia. I dyshuari në prani të avokatit mbrojtës është intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore.