(Radio Evropa e Lirë) – Policia në Sarajevë ka arrestuar Enda Paviq-Paçenkoviq, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve, nën dyshimet për punësim të paligjshëm, konfirmuan nga Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës.
Policia ka bastisur zyrat e Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Shkencës, Arsimit dhe Rinisë në Kantonin e Sarajevës.
Bastisjet dhe arrestimi i ministres së Punës janë në kuadër të vazhdimit të operacionit të quajtur “Zarfi”. Në kuadër të këtij operacioni, më 10 prill u arrestua ministrja e Shkencës, Adna Mesihoviq, po ashtu nën dyshime për punësim të paligjshëm.
Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës i akuzon ministren Paviq-Peçenkoviq (nga Partia Socialdemokrate e Bosnje e Hercegovinës) që së bashku me ministren Mesihoviq (nga partia Për Gjeneratën e Re) se me ndërmjetësimin e Ibrahim Obhoxhash, kanë favorizuar motrën e Obhoxhashit për t’ia mundësuar punësimin asaj në Ministrinë e Punës.
Obhoxhash është anëtar i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë e Punësimit në Kantonin e Sarajevës dhe ishte anëtar i Komisionit që kreu procedurën e punësimit.
Ai u arrestua më 11 prill dhe dyshohet për veprën penale të pranimit të dhuratave apo formave të tjera të përfitimit apo të ndërmjetësimit në emërimin e drejtorit të Qendrës Studentore në Sarajevë.