Policia e Kosovës ka arrestuar sot katër persona të dyshuar për gjuajtje me armë zjarri më 25 janar 2024 në rrugën “Ferat Dragaj” në Prishtinë.
Sipas njoftimit, personat e dyshuar janë shoqëruar në polici, si edhe janë sekuestruar dy armë zjarri.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacionit policor Qendra kanë arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në një rast të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm (gjuajtje me armë zjarri), që ka ndodhë me 25 janar 2024 në rrugën Ferat Dragaj në Prishtinë. Aksionet e hetuesve policor, janë ndërmarrë mbrëmë në koordinim me prokurorin e shtetit, ku pas identifikimit të lokacioneve dhe personave të dyshuar, kanë shoqëruar në polici personat e dyshuar dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri.” – thuhet në njoftim.
Tutje, PK ka njoftuar se hetuesit janë në kërkim edhe të tre personave të tjerë të dyshuar.
“Pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme policore, personat e dyshuar janë gërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të tre personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast.” – thuhet në përfundim të njoftimit.