Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Shqipërisë, të njëjtit u zunë me substanca narkotike.
Policia ka njoftuar se pas një pune hetimore dhe punës operative në terren, ka pranuar informatën se dy persona të dyshuar kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë dhe se të njëjtit kanë sjellë një sasi të narkotikëve, me qëllim të shitblerjes së tyre.
“Të njëjtit kanë qenë në një veturë me targa të Shqipërisë, ku edhe janë ndaluar nga hetuesit policorë dhe gjatë kontrollit fizik tek personi i parë i dyshuar S. Ç. (1966), shtetas i Shqipërisë, janë gjetur dhe janë sekuestruar dy pako të vogla me heroinë me peshë prej 21 gramëve dhe një pako me kokainë me peshë prej 36 gramëve, 100 euro, si dhe një telefon celular”, thuhet në njoftim.
Është identifikuar edhe banesa e të dyshuarit të dytë, S. U. (1969), shtetas i Shqipërisë, ku në konsultim me prokurorin e Shtetit është bastisur – kontrolluar banesa e tij, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotrope’, vepër kjo e sanksionuar me nenin 267 të KPRK-së, ka deklaruar Policia
Gjatë bastisjes në banesën e tij, në cilësi të provës materiale, është gjetur dhe është sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë me peshë prej 61 gramëve si dhe një peshore digjitale.
Po ashtu tek i dyshuari i dytë janë gjetur dhe janë sekuestruar edhe 3 telefona celularë si dhe 150 euro, si dhe është sekuestruar vetura me targa të Shqipërisë.
Sasia e përgjithshme e sekuestruar e narkotikëve është 82 gramë heroinë në vlerë të tregut prej 1640 euro si dhe 36 gramë kokainë në vlerë të tregut prej 3600 euro.