Gazetari Vehbi Kajtazi që e drejton mediumin “Paparaci” ka dalë me një deklaratë pas konferencës së sotme të presidentes Osmani lidhur me arrestimin e kameramanit të këtij mediumi, Jetmir Muji.
Ai ka thënë se Muji po e kryente detyrën e tij dhe më pas është arrestuar dhe është dërguar në stacion.
Kajtazi thotë se mbrojtja e afërt e presidentes gënjeu se kishin urdhër nga prokurori.
“Ai derisa po e kryente punën e tij si gazetar, mbrojtja e afër e familjes presidenciale e ka ndaluar, e ka bastisur, e ka legjitimuar, e ka kontrolluar në gjepa, në gjithçka, ndonëse ai e kishe kamerën dhe po merrte pamje të shkollës, të xhipave të zi, njëri i blinduar. Teksa ata kujdeseshin për sigurinë e familjen e presidentes Osmani, ata cenuan të drejtat elementare të një qytetar të Republikës së Kosovës, ata e ndaluan në mënyrë arbitrare, e legjitimuan, e penguan në punë, e arrestuan, e dërguan në stacion, i morën deklaratë duke gënjyer se kanë urdhër nga prokurori ndërkohë nuk kishe urdhër të prokurorit, ata i hapën kamerën dhe i panë pamjet se çka kishin filmuar, në këto pamje nuk shihej asnjë fëmijë, përfshirë fëmijët e presidentes. Ndonëse nuk kishin urdhër nga prokurori, gënjyen se kanë urdhër dhe hapën kamerën dhe në fund u detyruan ta lirojnë derisa po mbahej në mënyrë të kundërligjshme”
“Këta zyrtarë policorë nën diktatin e këtij regjimi të ashtuquajturës presidente dhe Albin Kurti provuan ta bindin edhe prokurorin që gazetari duhet të ndalohet për 48 orë, natyrisht aty s’kishte vepër penale, gazetari nuk po kryente asnjë krim, ai thjesht aty ishte për ta kryer punën e tij… Gazetari ndodhej në terren sepse ne kishim marrë ankesa të shumta të prindërve, të nxënësve në një shkollë private, më e shtrenjta ndoshta në Kosovë, ku presidentja kishte dërguar vajzat e saj për shkollim. Shyqyr që i ka mundësitë me i dërgu atje, megjithatë sipas prindërve ka pengesa të vazhdueshme nga sjellja e truprojave, bllokohet parkingu, kufizohet lëvizja, dhe zyrtarët policorë enden nëpër shkollë ndonëse aty ka mësues, nxënës. Teksa Jetmir Muji ndodhej duke kryer detyrën e vet, mora një telefonatë prej tij se është ndaluar, kjo është e vetmja telefonatë pasi nuk e kanë lejuar të flasë më, duke ia marrë telefonin”, tha ai.
Kajtazi shtoi se menjëherë ka komunikuar me Bekim Kupinën, këshilltar për media i presidentes Osmani.
“Pak më vonë më ka shkruar se Jetmir Muji është liruar dhe nuk ka asnjë problem. E kam siguruar se nuk ekspozohen pamjet e asnjë fëmijë, megjithatë në kohën kur ai garantonte se Jetmir Muji është liruar, ai ishte arrestuar, ishte dërguar në stacion. Pra z. Kupina gënjeu, gënjeu sepse besoj se edhe ai është nën presionin e të ashtuquajturës presidente”.
Ai tha se rreth orë 18:00 ka marrë një telefonatë nga policia dhe një zyrtare i kërkoi të shkojë në stacion për ta identifikuar kameramanin nëse punon për ju.
“I kam thënë se duhet ta lirojë menjëherë sepse po e shkel ligjin”, tha ai.
Kajtazi tha se nuk janë filmuar fëmijët pa lejen e prindërve apo kujdestarëve, por tha se figurat publike i ekspozojnë vetë për imazhin e tyre ose ckadoqoftë.
“Nuk mund të jetë i lirë dikush që është i lidhur me Radojciqin, dhe nëse nuk janë duhet të merren në mbrojtje sepse e ashtuquajtura presidente po ua rrezikon jetën. Ajo u thirr në informacione të klasifikuara, ndërkohë bëri shkelje flagrante sepse nuk muind t’i përdor këto informacione për t’i sulmuar të tjerër. Nëse ajo do duhej të fliste për to, këto informacione do duhej të deklasifikohej sepse kështu e parasheh ligji dhe të dërgohen në prokurori për ndjekje penale”, tha ai.
Kajtazi shtoi se nuk është frikësuar dhe nuk do të frikësohet.
“Do ta vazhdojë ta kryejë punën time sikurse deri tash”, tha ai.
“Nuk iu kam frikësu as atyne që kanë qenë pernime, e le më po i frikësohen disa fëmijëve të lazdruar që në mënyrë aksidentale dhe të dhunshme e kanë marrë pushtetin në Kosovë.”
“Përdorimi i institucioneve të sigurisë, përfshirë AKI, është model i regjimeve diktatoriale, model i Rusisë, Bjellorusisë, është model i shteteve të Amerikës Latine, por kurrsesi nuk është model i shteteve demokratike”.
“Jetmiri është në punë, është duke e xhiruar këtë deklarim, është kontaktuar nga IPK, do të shkojë të japë deklaratë sepse ne jemi të vendosur për ta çuar rastin në fund. Dikush do të japë llogari, dikush duhet të japë llogari sepse keqpërdorimi i policisë nga një regjim në ikje, nga një regjim që është mbytur në luks dhe ka frikë ta humb atë, dhe përdor secilën metodë për ta ruajtur luksin e tyre, ne nuk na ndalë”, tha Kajtazi.