Dy doktorë, saktësisht një anesteziolog dhe një kirurg në Gjilan, janë arrestuar sot si të dyshuar për marrje ryshfeti.
Policia bënë të ditur se anesteziologu dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë prej 100 eurosh për të kryer një ndërhyrje.
Ndërsa, mjeku kirurg dyshohet se lidhur me këtë ndërhyrje mjekësore kishte marrë 330 euro ryshfet dhe kishte kërkuar edhe 200 euro shtesë.
Lidhur me këtë ka ardhur edhe reagimi nga ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, është shprehur se Kryeministri, prokurori dhe gjykatësi Kurti e ka fjalën e fundit.
Në vazhdimësi kemi ngritur zërin dhe shqetësimet tona për degradimin e plotë të strukturës organizative nga qeveria Kurti dhe ministrat e tij të shëndetësisë me ndërhyrjet dhe vendosjen e militantëve politik në QKUK dhe në spitalet rajonale. Ndërkaq, tani ka vluar edhe korrupsioni e nepotizmi, krejt kjo në kurriz të pacientëve dhe qytetarëve të Kosovës.Sigurisht e fatkeqësisht, si zakonisht, tani dalin i sulmojnë hetuesit dhe prokurorët duke iu dalur kështu në mbrojtje shkelësve të ligjit. Kryeministri, prokurori dhe gjykatësi Kurti e ka fjalën e fundit. Verdikti dihet; shkelësit e ligjit – të VV-së, nuk duhet të hetohen, aq më pak të dënohen’’, është shprehur Zemaj.
Po ashtu lidhur me këtë çështje lajmi.net ka kontaktuar me zëdhënësen në Prokurorinë e Gjilanit, Liridona Xheladini.
Xheladini ka njoftuar se ndaj të dyshuarve do të kërkohet masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjilan.