Arrestohet doganieri i Qafë Botës, kaluan një furgon me 4.7 ton djathë kontrabandë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “GUDA”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në bashkëpunim me Seksionin Operacional.
Vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.
Sekuestrohet sasi e konsiderueshme të nënprodukteve të qumështit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “GUDA”, ku si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: K. B., 52 vjeç, banues në Gjirokastër, J. H., 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe D. D., 48 vjeç, banues në Sarandë(me detyrë doganier në Pikën Doganore Qafëbotë.)
Shtetasit e mësipërm u arrestuan pasi, në aksin rrugor Qafë-Muzinë – Gjirokastër është konstatuar automjeti tip furgon me drejtues shtetasin K. B., brenda të cilit u gjetën 296 paketime me nënprodukte të qumështit, me peshë totale 4735 kg, pa dokumentacionin përkatës.