Një i akuzuar është arratisur sot rreth orës 12:00 nga objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore.
Pasi që gjykata dha versionin e tyre, tashmë kanë reaguar edhe nga Policia e Kosovës, duke thënë se i dyshuari ka përdorur forcë fizike dhe veprime agresive ndaj zyrtarit përgjegjës për sigurinë e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore, dhe më pas ka arritur të largohet.
“Sot rreth orës 12:00, menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, një i pandehur është arratisur nga objekti i Gjykatës Themelore në Prishtinë. I njëjti dinakërisht, duke përdorur veprime agresive të dhunshme si dhe duke përdorur forcën fizike, i ka shkaktuar lëndime trupore zyrtarit që po kujdesej për sigurinë tij me ç’ rast ka arritur të arratiset. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme operativo hetimore dhe ndaj të dyshuarit ka iniciuar një hetim në drejtim të veprave penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ si dhe ‘Arratisja e personit të privuar nga liria’ – ka bërë të ditur Agron Borovci, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës.