Liga e Kampionëve rikthehet nga e marta me xhiron e katërt të fazës së ligës.
Një nga ndeshjet më interesante të kësaj xhiroje është edhe ajo mes Liverpoolit dhe Real Madridit që luhet në “Anfield”.
Liverpooli po kalon në një fazë të vështirë të sezonit duke pasur gjashtë humbje në tetë ndeshjet e fundit. Mirëpo, me fitoren e mbrëmshme ndaj Aston Villës, Liverpooli duket se ka nisur të këndellet, pikërisht para ndeshjes me Realin.
Mohamed Salah dhe Ryan Gravenberch shënuan në fitoren prej 2-0 të Liverpoolit ndaj skuadrës së Unai Emery.
Edhe ky i fundit arriti një fitore të madhe mbrëmë. “Los Blancos” fituan 4-0 ndaj Valencias në “Santiago Bernabeu”.
Kylian Mbappe konfirmoi edhe një herë formën e tij të jashtëzakonshme, duke shënuar dy gola, teksa nga një e shënuan Jude Bellingham dhe Alvaro Carreras.
Për ndeshjen që luhet të martën nga ora 21:00, foli edhe trajneri i Liverpoolit, Arne Slot.
Ai tha se kjo është një ndeshje tejet e veçantë, pasi luhet ndaj Real Madridit.
“Të luajmë përballë Real Madridit? Gjithmonë mezi pret një mbrëmje të Ligës së Kampionëve. Kundër Real Madridit është edhe më e veçantë. Është një sfidë, por një sfidë që e pret me dëshirë”, tha ai pas fitores ndaj Aston Villës.
Reali ka një rekord prej 100% në Ligën e Kampionëve deri më tani, duke fituar tri ndeshjet e para.
Fillimisht, Reali e mposhti Marseillen 2-1, pastaj fitoi në udhëtim te Kairat Almaty me shifrat prej 5-0. Në xhiron e tretë, Reali fitoi minimalisht 1-0 ndaj Juventusit.
Në anën tjetër, Liverpooli po ashtu e fitoi ndeshjen e parë në Ligën e Kampionëve, duke fituar nga Atletico Madridit 3-2. Mirëpo, në xhiron e dytë e pësoi nga Galatasaray 1-0. Në ndeshjen e tretë, “The Reds” fituan 5-1 në udhëtim te Eintracht Frankfurti.






