Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ka shpallur këtë javë fituesin e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i dedikuar futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e gjashtëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim iu dha futbollistit të FC Malisheva, Arlind Veliu, i cili shfaqi një paraqitje të shkëlqyer gjatë 90 minutave të ndeshjes së fundit.
Ndonëse është mbrojtës, Veliu shënoi dy gola vendimtarë në fitoren 2:0 të skuadrës së tij kundër FC Drenica. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit dhe u shpall zyrtarisht këtë javë.
Pasi mori këtë çmim, Veliu u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.
“Nuk e kemi nisur kampionatin në mënyrën më të mirë, por megjithatë me trajnerin e ri po mundohemi të përmirësojmë lojën dhe të kuptojmë filozofinë e tij. Ambiciet tona janë tre vendet e para të tabelës dhe dalja në Evropë.
E kemi ditur që kemi pasur një ndeshje të vështirë kundër Drenicës dhe mendoj se ia kemi dalë ta përgatisim mirë dhe të shënojmë fitore.
Në aspektin personal, gëzohem që kam mundur të ndihmoj ekipin me dy gola dhe për këtë i falënderoj bashkëlojtarët e mi për angazhimin”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.






