“Qeveria duhet të na tregojë pse jemi ende të vrarë nga Serbia dhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian”, deklaroi kështu, politologu, Dritëro Arifi.
Arifi ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, se Radoiçiçi po planifikon sulme të tjera në Kosovë, e që sipas tij, Perëndimi nuk dëshiron luftë në Ballkan.
“Ne jemi edhe të vrarë nga Serbia edhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian, kjo është humbja e Qeverisë. E këtë qeveria duhet të na tregojë, pse jemi edhe të vrarë edhe të dëmtuar. Qeveria e Kosovës nuk ka justifikim, mendoj se kanë dështuar. Domethënë, ka ndodhur një vrasje, nuk e kemi arritur qëllimin. Ne nuk na intereson çka bën ShBA-ja dhe BE-ja me Serbinë, unë si qytetar kërkoj përgjegjësi nga kryeministri Kurti, e jo nga Serbia dhe BE-ja. Pse ende s’kemi marrë përgjigje për vrasjen dhe sanksionet. Nuk është bashkëpunimi në formën e duhur. Perëndimi nuk po dëshiron luftë dhe një problem tjetër në Ballkan, sepse e dinë çfarë angazhimi i madh është politik dhe material”, potencoi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit”.
Kujtojmë se Kurti ka kërkuar nga KFOR-i, EULEX-i dhe BE-ja, që zyrtarisht përmes një raporti, të marrin masa ndaj kërcënimeve serbe, dhe t’ia atribojnë zyrtarisht Serbisë aktin e agresionit dhe krimin ndaj Kosovës.