Ish- kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi thotë se pas krijimit të institucioneve, do të kërkohet kthimi menjëherë në tavolinën e bisedimeve, ndërsa kompromiset janë pikat e Marrëveshjes së Ohrit.
“Po flasim për përfundimin e procesit zgjedhor, krijimin e institucioneve të reja, rikthimin në procesin e dialogut, kurse me kompromise nënkuptohen ato pikat e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ashtu siç është paraparë, ato janë kompromiset, por edhe në marrëveshje të reja që mund të kenë në të ardhmen, ku palët duhet të bëjnë kompromise”, ka thënë ai.
E, një ndër kompromiset, sipas tij, do të jetë implementimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe
“Asociacioni është njëri prej atyre kompromiseve që e shohin, implementimin e tij e shohin si kompromis. Nuk është diçka që pala kosovare ka dëshiruar, sikur njohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia, elemente që Serbia i ka dashur, mirëpo këto nga perspektiva e BE-së po flas, këto janë ato që ata i shohin si kompromise që palët duhet t’i marrin dhe janë të parapara edhe me marrëveshjen e Brukselit edhe të Ohrit”, ka theksuar Arifi, për Gazeta Blic.
Por, pse partitë nuk e përmendën në fushatë zgjedhore fare cështjen e dialogut?
Sipas Avni Arifit, dialogu nuk sjell vota.
“Sepse qytetarët nuk janë të interesuar të dëgjojnë. Është interesant. Nëse ju kujtohet qeveria e kaluar Kurti, ai e pati përmendur dialogun si pikë të 7 të prioriteteve, por doli që e tërë qeverisja e tij u identifikua me çështjen e dialogut. Dialogu është aspekti kryesor i qeverisjes së ardhshme, aspekti më kryesor për të gjitha, kurse nuk është i popullarizuar në kuptim të asaj që nuk gjenerojnë vota me të dhe kjo përfshin edhe kompromiset që dijet t’i bëjnë partitë politike”, ka shtuar tutje.
E, sipas Arifit, dialogu do të varet nga qeveria që do të formohet.
“Nëse do të kemi një qeverisje çfarë e kemi pasur, atëherë në mandatin e kaluar nga një palë e cila ishte konstruktive u shndërrua në një palë që është bashkë me Serbinë po e pengon dialogun. D.m.th. derisa erdhi në qeverisje qeveria Kurti, Serbia ishte pala e vetme që është akuzuar për ngecje në dialog, por tani janë të dyja dhe realitet është që asnjëra palë nuk kanë bërë asgjë për implementimin e marrëveshjes e Brukselit dhe të Ohrit dhe ky është realiteti”, është shprehur ai.
Ai thekson se që në javët e para, qeveria e re do të përballet me presion ndërkombëtar për ta dërguar në Kushtetuese draftin e Asociacionit.
“Me marrëveshjen e Ohrit, pika 5, qeveria Kurti ka marrë zotim se një prej veprimeve të para që do të ndërmarrë do të jetë drafti i Asociacionit, domethënë ky draft që e ka bërë BE, ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe të fillojnë. Ky është zotim që e ka bërë qeveria Kurti. Tash natyrisht që presioni ndërkombëtar është te premtimet që i ka bërë pala kosovare. Do të shohim menjëherë, sapo të krijohen institucionet e reja, besoj që në javën e parë apo të dytë do të kemi presion nga Bashkimi Evropian, mbase edhe SHBA-të, edhe pse është e paqartë mënyra se si ata do të kyçen këtë herë në proces të dialogut, por do të shohim një presion të madh te autoritetet e Kosovës që të procesohet në Gjykatë Kushtetuese”, ka deklaruar Arifi.