Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka postuar një video të kryeministrit, Albin Kurti, që sa ishte në opozitë thoshte se pa u plotësuar pesë kushte, Kosova nuk duhet të bisedojë me Serbinë.
Arifi ka thënë se pajtohet plotësisht me Albinin e opozitës, por jo edhe me Albinin, Kryeministër i Kosovës.
Ai tutje ka kërkuar nga Kurti, që nesër në takimin në Ohër të përfshijë në marrëveshje edhe Luginën e Preshevës, siç janë të përfshirë serbët në Kosovë nga pala serbe.
Postimi i plotë i tij:
Pajtohem plotësisht me Albinin e Opozitës, por nuk mund ta them të njëjtën për Albinin – Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës!
Shqiptarët kanë kaluar nëpër shumë momente historike, si e shtuna që vjen në Ohër.
Ngjashëm me fjalimin e mësipërm, kërkoj nga Kurti që nesër, Lugina e Preshevës të jetë medoemos e përfshirë në marrëveshje siç janë serbët në Kosovë nga pala serbe!