Urimin e Albin Kurtit për zgjedhjen e Bedri Hamzës në krye të Partisë Demokratike të Kosovës, e ka komentuar Avni Arifi, në Rubikon të Klan Kosovës.
Sipas opinionistit Arifi, nëse Kurti e ka seriozisht qasjen e ofrimit dhe bashkëpunimit me partitë tjera këtë duhet ta dëshmojë. Madje nëse e do një marrëveshje me PDK-në, Arifi thotë se këtë duhet ta bëjë qysh sonte, para seancës që pritet të mbahet të mërkurën.
“PDK kanë qenë konsistente në qëndrimet e veta. Nëse Kurti po mendon tash se me Hamzën është reformu PDK dhe po don me i hangër ato qershijat, e po don me ba koalicion me të, bile mos t`na bën telashe tash por të mblidhen sonte e na kishin shpëtu, se marrëveshjet ndërkombëtare janë tepër të rëndësishme. Por e kanë vetëm politikë të Facebookut. Këta po shkojnë vetëm me konstatime sa keq është, por po harrojnë sa vota që i kanë marrë besim prej popullit për me ua ndreq jetën, e kanë dështu”, thotë Arifi.
Ai thotë se nëse vota e qytetarëve si parti të jep rezultatin më pak se 50%, duhet të lexohet si votë për bashkëpunim edhe me të tjerët.
“Kur qytetarët ta japin votën, ta japin me bë me konsensus edhe me ba marrëveshje me partitë tjera me bashkëpunu për vendin. Në momentin që s`i ke 50+, vota e qytetarëve të përkthehet në obligim, me i kry obligimet dhe me kriju partneritet me të tjerët që me u ba bashkë”, tha më tej Arifi.






