Analisti politik Avni Arifi vlerëson si të mirëpritur iniciativën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të reflektuar pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Arifit, ky vendim u jep qartë partive politike udhëzime se si duhet të vazhdojnë më tej proceset e nevojshme.
“Është vështirë me folë për pritjet. Megjithatë, iniciativa e Kurtit që të reflektojë pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese është për t’u përshëndetur. Besoj se është reflektim sepse megjithëse ka pasur shumë njerëz që kanë vlerësuar këtë vendim të gjykatës si konfuz, besoj se është ndër vendimet që i dha qartazi instruksione partive se si duhet të procedohet më tutje. Nëse kjo kërkesë është bërë me ditë se çka duhet me bo partitë në Kuvend, besoj se Kushtetuesja e dha opinionin e vet, por ai opinion është për ata që kanë vullnet politike me e kalu, nëse duan mund ta kalojnë. Nëse Kurti e sheh vendimin e Kushtetueses si kompromis për me e bë Albulenën është shkelje e Kushtetutës dhe vazhdim i ngërçit”, u shpreh Arifi në “Info Magazine” në Klan Kosova.