Avni Arifi, opinionist në Rubikon të Klan Kosovës, ka thënë se tenderët njëburimor bëhen për motive të pasurimit.
Ai ka thënë se nuk beson që Nagip Krasniqi, ish-kryeshefi i KEK-ut, të ketë vepruar vetë, por sipas tij, për çështjen e aktakuzës ndaj tij, duhet të shkojnë në burg nga kryeministri Albin Kurti, e deri te ministrja e Ekonomisë, Artan Rizvanolli.
“Kur flasim për tenderët njëburimor, një prej të metave më të mëdha që e ka, sepse me kohën, legalizimi i tenderëve njëburimor krijon grup mafijoz i cili vendos kush cilin tender ta merr. Motivet janë të llojllojshme pse vendosin për këtë apo atë, por në fund të fundit, nuk ka motiv tjetër përpos atij individual ose motivit të pasurimit. Është një rast shumë i rëndë. Vetëm kjo mjafton që të gjithë këta njerëz të shkojnë në burg, edhe kryeministri. Me këtë çështje, kryeministri dhe ministri i Ekonomisë nuk duhet të merren me këto. Kur e kam parë aktakuzën e Nagip Krasniqit, nëse e lexon e sheh që Nagip Krasniqi, ndonëse nuk e njoh personalisht, është njeri mjaft i balancuar, profesionist i fushës. E kemi parë një njeri të respektuar gjithmonë. Pra, nëse e sheh aktakuzën, e sheh që ai kurrë ato veprime vetë nuk i ka marrë. Kjo implikon shumë palë e njerëz që vetëm ka qenë një grup që e ka menaxhuar, sepse nuk besoj kurrë që ai i ka bërë këto veprime”, ka deklaruar Arifi.
“E vetmja industri që ka lulëzuar në Kosovë, në këto katër vite, është industria e blerjes së energjisë elektrike. Përafërsisht, në qeveritë paraprake, përafërsisht në vjet është blerë prej 30-45 milionë euro në vjet. Për katër vjet bëjnë rreth 160 milionë euro. Kurse këta, besoj se është thënë 700 milionë deri më 9 shkurt, por besoj se do ta kalojë këtë shifër”, u shpreh ai.