Analisti politik, Avni Arifi ka kritikuar ashpër qeverinë, duke e cilësuar situatën aktuale në sektorin e energjisë si një shembull të qartë të mungesës së vullnetit për bashkëpunim me bizneset.
Sipas tij, premtimi për partneritet me sektorin privat ka dështuar, e siç thotë ai, njëjtë ka ndodhur edhe me mediat, shoqërinë civile dhe sindikatat.
“Një shembull eklatant i mosdëshirës së shtetit me bashkëpunu me bizneset. Ajo që kanë thënë më herët që bizneset do t’i kenë partnerë, po shihet cfarë partneriteti kanë me ta. Është njëjtë me atë që kanë pasë me grupe tjera në shoqëri, me mediat, me shoqërinë civile, me sindikatat”, tha Arifi në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.
Sipas tij, vëllai i stafit të kryeministrit është licencuar me urgjencë dhe po ofron energji me çmim shumëfish më të lartë se sa oferta ekzistuese në treg.
“Vëllai i shefit të stafit të kryeministrit, me urgjencë e krijon një sektor të kompanisë që e ka pasë, licencohet dhe thotë “nëse doni rrymë hajde me të lirë te unë me çmim 199 euro, dhe thotë ngutuni kush vjen i pari, ai shërbehet”. Nuk e di qysh duhet këtij qytetari të Kosovës me ia vizatu ndryshe këtë situatë, prej 80 euro në 199 euro. Vallai edhe drogë me shitë ma shumë pare s’mundesh me fitu. Nuk besoj që ka diçka që fiton më shumë. Nëse shitet hallall i qoftë se ka ditur me shfrytëzu sistemin. Dora terezi nuk kish. Një situatë shumë e rëndë. Të gjithë po duam reforma, liberalizimin e tregut. Ata prej vitit 2016 kanë mundur ta krijojnë bursën”, tha më tej Arifi.