Analisti Avni Arifi ka deklaruar se aneksi i Marrëveshjes së Ohrit, është dokumenti më i keq për Kosovën.
Kjo deklaratë e Arifit vjen pasi shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, gjatë konferencës së saj sot me të arritur në Prishtinë, theksoi implementimin e kësaj marrëveshjeje.
Këtë dokument, siç tha analisti, e ka pranuar qeveria Kurti.
“Deri më tash BE-ja e ka pritur Qeverinë që të krijohet, ata do të vijnë dhe do të kërkojnë implementimin e këtij dokumenti, mirëpo ne u vonuam me institucione dhe tash kanë filluar të bëjnë presion edhe në krijimin e institucioneve. Kallasi po e ndan pak a shumë marrëveshjen e Ohrit, se vazhdimisht e ka përmendur implementimin e aneksit të Ohrit. Ai dokument është ndër dokumentet më të këqija që ndonjëherë dikush në Kosovë i ka pranuar. Qeveria Kurti e identifikon veten si gardian kundër Zajednicës dhe Asociacionit, ky dokument është pranuar. Në tërë dokumentin është vetëm BE-ja që e ka implementuar ndryshimin e kapitullit 35 për Serbinë. Pika pesë thotë: “Për të zbatuar nenin 7, Kosova nis menjëherë negociatat në kuadër të dialogut për përcaktimin e aranzhimit dhe garancive specifike që sigurojnë një nivel të duhur të vetmenaxhimit të komunitetit serb”. Me këtë pikë, topi është 100 për qind në terrenin e Kosovës për implementimin e Asociacionit dhe ky dokument është pranuar nga qeveria Kurti”, u shpreh Arifi.
Ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, tutje tha se në këtë dokument ka pak obligime për Serbinë.
“Ky dokument është dokument legal, është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe i Serbisë, por çka është e keqja këtu, ka pak obligime për Serbinë. Është një deklaratë për personat e zhdukur dhe këtë e kanë bërë si favor për Kosovën. Nuk ka asnjë gjë konkrete. Ne e kemi të ndjeshme e të dhimbshme, neve na duhen personat e zhdukur, jo deklaratat. Tjetra pikë, “Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”. Kjo nënkupton se nëse Kosova me fillu me Asociacionin, fillon implementimin e saj, por Serbia i shkel marrëveshjet, Kosova nuk ka të drejtë që ta ndalë implementimin e Asociacionit. Këtë e ka pranuar qeveria”, tha Arifi.