Ariana Grande ka folur hapur për qasjen e saj emocionale gjatë xhirimeve të filmit Wicked, duke shpjeguar se krijoi qëllimisht “shkaktarë” të rinj për personazhin e Glindës, në mënyrë që të mos detyrohej të prekte apo të rikthente dhimbjet e saj personale.
Në intervistën Actors on Actors të Variety me Adam Sandlerin, këngëtarja dhe aktorja 32-vjeçare tha se ndonëse në jetën reale qan shpesh, kjo nuk është aq e lehtë gjatë performancës.
“Shpika shkaktarë për Glindën sepse disa tema të filmit janë shumë të afërta me jetën time. Më duhej të ndërtoja dhimbjen e saj që të mos ktheja timen”, u shpreh Grande.
Ajo tregoi gjithashtu se një nga fustanet e saj në vazhdimin Wicked: For Good i shkaktoi disa gërvishtje të vogla, por nuk u ankua, duke thënë se “çdo gjë ia vlen për artin”.
Gjatë bisedës, Sandler e ngacmoi për fustanin e madh ngjyrë livando, të quajtur “Bubble Two”, ndërsa Grande shpjegoi se në pushime qëndronte mbi një “kuti të vogël me rrota” për të mos dëmtuar veshjen, shkruan DailyMail.






