Para 34 vjetësh ishte zhvilluar ndeshja e parë mes Trepçës së Mitrovicës dhe Kosovës së Vushtrrisë.
Në Dervar të Vushtrrisë, në shtatorin e vitit 1991 ishin hedhur themelet e një epoke të re, epokës së futbollit të pavarur të Kosovës.
Ky vend ishte parë për shumë vite si simbol i guximit dhe i organizimit, sepse takime të tilla zhvilloheshin nën kërcënimin e përhershëm të ndërhyrjes nga regjimi i atëhershëm serb.
Sot, pas 34 vjetësh, është kandidati i PDK-së për Kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri, ai që i ka takuar futbollistët e asaj kohe dhe u ka ndarë mirënjohje si nënkryetar komune.
“Këta janë heronjtë e “Trepçës”, lojtarët që ngritën emrin e Mitrovicës në arenën sportive. Në shtatorin e vitit 1991, 34 vjet më parë, “Trepça” nisi rrugëtimin e saj historik me ndeshjen e parë ndaj Kosovës së Vushtrrisë në fshatin Dervar, ku u hodhën themelet e futbollit të pavarur të Kosovës. Sot u ndava mirënjohje të gjithëve, përfshirë edhe familjarëve të atyre që më nuk jetojnë, por shpirtërisht mirënjohja për ta është e pafund. Ishin më shumë se ekip dhe nga lojtarë u bënë ndërtues ëndrrash për shumë gjenerata! Faleminderit për gjithçka! ”, ka shkruar Tahiri.
Hapi i parë për organizimin e kësaj ndeshje kishte qenë mbledhja e grupit të sportistëve dhe veprimtarëve te sportit, ku kontaktin e parë e kishin bërë Abit Ala me Raif Hajrën, Riza Pretenin dhe Fehmi Fejzën. Ata ishin kujdesur t’i kontaktonin klubet dhe lojtarët për zhvillimin e ndeshjes së parë historike ndërmjet Trepçës së Mitrovicës dhe Kosovës së Vushtrrisë, e ndodhi në fshatin Dervar, në shtatorin e vitit 1991.
Konsultimet dhe organizimi ishin bërë në çajtoren “Vatra” në Mitrovicë, vend që në atë kohë kishte një kuptim të veçantë, pasi që ishte shndërruar në qendër të mbledhjeve, diskutimeve dhe vendimeve. Aty ishin mbledhur edhe sportistët dhe aty ishin marrë vendimet e para për ta filluar epokën e re të futbollit të pavarur të Kosovës.
Disa nga futbollistët ishin Raif Hajra, Gëzim Rama, Sami Dobreva, Enver Salihu, Sedat Musliu, Riza Preteni, Abit Ala, Gani Jashari, Fehmi Hasani, Kastriot Ahmeti, Enver Baliu, Sami Tahiri, Gani Sejdiu, Afrim Sylejmani dhe të tjerë.