Në rrjete sociale janë hapur shumë profile dhe faqe të ndryshme, përmes të cilave, sipas raportimeve, po bëhen sulme ndaj kandidatit të PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri.
Lidhur me këto pretendime, ka reaguar vetë Tahiri, i cili ka mohuar se sulmet janë të organizuara nga ndonjë subjekt politik, por ka hedhur dyshime se pas tyre qëndrojnë persona të afërt me kundërkandidatin e tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Pecin.“Nuk mendoj se janë të orkestruara nga LVV-ja, por nga një ekip familjar i miqve, sepse janë duke u dekonspiruar vazhdimisht dhe janë prezantuar edhe në publik se kush qëndron prapa tyre”, ka deklaruar Tahiri.
I pyetur nëse këta persona kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Faton Pecin, ai është përgjigjur: Po, janë një ekip i ngushtë që do të dekonspirohen, për shkak se edhe personalisht kam bërë denoncim. Me këtë po merren organet kompetente dhe njerëzit që punojnë në fushën e teknologjisë informative.
Tahiri ka shtuar se pret që institucionet përgjegjëse të veprojnë, në mënyrë që, siç tha ai, të ndalet fushata e shpifjeve dhe sulmeve personale në prag të zgjedhjeve lokale.






