KF Llapi ka zyrtarizuar transferimin e sulmuesit Ardit Tahiri te klubi ukrainas Kolos Kovalivka, pas arritjes së një marrëveshjeje mes dy palëve. Sipas njoftimit të klubit nga Podujeva, marrëveshja është e favorshme edhe në aspektin financiar për Llapin, i cili do të mbajë 25 për qind të kartonit të lojtarit, si pjesë e një transferimi të mundshëm në të ardhmen.
Tahiri ka qenë një prej figurave kryesore të bardhekaltërve në Superligën e Kosovës, duke u renditur në mesin e 10 golashënuesve më të mirë në historinë e klubit në elitë. Me fanellën e Llapit, ai ka regjistruar 44 paraqitje zyrtare, ku ka shënuar 19 gola dhe ka dhuruar 4 asistime, statistika që dëshmojnë ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në lojën e skuadrës.
Në pjesën vjeshtore të sezonit aktual, sulmuesi ishte i huazuar te HJK Helsinki, ku fitoi përvojë të vlefshme ndërkombëtare, duke bërë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e tij profesional.
KF Llapi ka shprehur mirënjohje për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar nga Ardit Tahiri gjatë periudhës sa ishte pjesë e klubit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij.






