Dinamo Zagreb ka marrë një fitore të thellë 4-1 në shtëpi ndaj Slaven Belupo, në një ndeshje të vlefshme për javën e 8-të të elitës kroate.
Edhe pse luajti vetëm 45 minuta, anësori shqiptar Arbër Hoxha u shpall lojtari më i vlerësuar i ndeshjes.
Në minutën e 40-të, ishte pikërisht Hoxha ai që zhbllokoi rezultatin, duke realizuar një gol shumë të bukur pas një kombinimi me Ljubiçiq, ku në shenjë respekti ndaj ish-ekipit të tij, ai nuk festoi golin.
Në minutat shtesë të pjesës së parë, Hoxha ishte sërish protagonist, këtë herë me një asist për Kulenoviq, i cili realizoi golin e dytë për Dinamon, duke i dhënë ekipit kroat avantazhin e dyfishtë pas 45 minutave të para.
Në fillim të pjesës së dytë, Arbër Hoxha u zëvendësua, ku ende nuk është bërë e ditur arsyeja e kësaj lëvizjeje, nëse ka qenë një vendim taktik për ta ruajtur për ndeshjet në Europa League, apo ndoshta ndonjë shqetësim fizik për futbollistin kuqezi.
Në 8 ndeshjet e këtij sezoni, Hoxha ka shënuar 2 gola dhe ka dhënë 3 asistime, duke konfirmuar formën e mirë që po e kalon.