Sport

Arbër Hoxha me Dinamo Zagrebin kualifikohen në Ligë të Kampionëve

By GAZETA SCANNER 1

August 28, 2024

Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Arbër Hoxha, do të luajë në Ligë të Kampionëve në sezonin e ri, pasi klubi i tij Dinamo Zagreb triumfoi 5:0 me rezultat të përgjithshëm në play-off ndaj Qarabagut.

Hoxha që luajti nga fillimi në ndeshjen e parë, sonte u fut vetëm minutat e fundit të takimit.

Ndeshja e parë në Zagreb përfundoi 3:0 në të mirë të gjigantit kroat dhe tashmë ata ishin me një këmbë në Ligë të Kampionëve, teksa sot me fitoren 2:0 u konfirmua një gjë e tillë.

Marko Pjaca shënoi fillimisht për epërsinë 1:0 në minutën e 32-të, pas asistimit të Petar Sucic.

Teksa për rezultatin përfundimtar 2:0, autogol shënoi Matheus Silva në minutën e 53-të.

Deri në fund të takimit nuk pati ndryshim në rezultat, me vetëm një karton të kuq që mori Kevin Medina i Qarabagut.

Kështu Dinamo Zagreb me rezultat të përgjithshëm 5:0 ndaj Qarabagut, e siguron një vend në Ligën e Kampionëve.

Arbër Hoxha është shqiptari i radhës që do të luajë në Ligën e Kampionëve, pasi një gjë të tillë e siguruan dje edhe Albion Rrahmani, Qazim Laçi, Ermal Krasniqi e Indrit Tuci.

Këtë numër mund ta rrisë sot Edon Zhegrova, pasi do të luajë nga minuta e parë për Lillen ndaj Slavia Pragës me fillim nga ora 21:00.