4.2 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

Arben Shala: Populizmi i Kurtit dhe realpolitika

- Advertisement -

Shkruan: Arben Shala

Populizmi definohet si politikë që pretendon se përfaqëson mendimet dhe dëshirat e njerëzve të zakonshëm.

Si i tillë, lideri populist është kundër rendit të krijuar dhe kritik ndaj gjithçkaje që ndodhet në mes tij dhe popullit. Sipas enciklopedisë Britannica, lideri populist pretendon se mbron interesat e popullatës nga elitat. Duke qenë se krejt kjo zhvillohet përreth kultit të individit atëherë partia politike e humb rëndësinë përballë liderit gjë që qon në autoritarizëm.

Lideri populist autoritar i përdor si mish për top grupet e margjinalizuara dhe secilin prej tyre që i shërbeu për të konsoliduar pushtetin e liderit, për të shkëputur vëmendjen e publikut nga dështimet e liderit, për të fshehur nga njerëzit natyrën e sundimit të liderit ose shkaqet reale të problemeve ekonomike e sociale.

Kur të analizohet kjo që u tha më lart, nuk ka si të mos na vije ndërmend, kryeministri ynë dhe veprimet e tij.

Duhet kujtuar retorikën të cilën e përdori derisa erdhi në pushtet si një “luftëtar i devotshëm” kundër “oligarkëve”, kundër “elitave provincialiste” të cilat “për 20 vite shkatërruan Kosovën”.

Gjithsesi, na bie ndërmend qasja e tij përçmuese kundër mësimdhënësve, veteranëve, pensionistëve, etj., shumica e të cilëve e votuan atë për “ta provuar”, duke u munduar që me çdo kusht t’i detyrojë që “liderin” ta shohin nga poshtë-lart.

Përderisa në opinionin e brendshëm kjo qasje ka shkaktuar dëme të mëdha por që pas analizës së “analfabetëve funksionalë”, deri diku po i ecën, por, në arenën ndërkombëtare, kjo qasje po vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha. Kryeministri ynë po mendon që edhe diplomacia ndërkombëtare zhvillohet me populizëm.

Në skenën ndërkombëtare, siç edhe e kemi parë historikisht, e drejta e vendeve të vogla është irrelevante, e papërfillshme dhe shpeshherë ato vetëm kanë shërbyer si mjet kusuritjeje në mes të fuqive të mëdha.

Aty, fuqia ushtarake dhe interesat ekonomike zënë rol primar. Fundja, a nuk jemi rritur ne dhe prindërit tanë, me padrejtësitë e “padrejtësitë” e ndryshme anekënd globit të cilat ende mbesin të pazgjidhura.

Termi adekuat që i shpjegon veprimet në gjendje dhe rrethana të tilla është realpolitika. Ajo bazohet si veprim në bazë të rrethanave dhe faktorëve e jo nga premisat ideologjike, morale ose etike.

Duke u nisur nga premisat që duken të drejta para syve të militantit, të gjitha veprimet e kryeministrit kanë përfunduar me autogola, me tërheqje të turpshme e me sanksione.

Me gojën plot drejtësi e demokraci, Kryeministri ynë duket i përhumbur në kohë dhe hapësirë, duke vuajtur nga deliriumi i madhështisë.

Çdo ditë po nxjerr tema e po shkakton dëme të cilat sikur të dëgjoheshin këshillat e miqve aleatë do të zgjidheshin e konsumoheshin me finalizimin e marrëveshjes përfundimtare, siç edhe iu kërkua para se të fillonte aventura me targat, të cilat shkak-pasojë bënë që njohja nga Serbia të mos jetë as temë e as kusht në diskutime.

Ne kemi qenë me fat që shtetet aleate i dhanë përkrahje një vendi me popullatë të vogël në numër, krahasuar me shumë raste të ngjashme e shumë më të mëdha me numër të banorëve e territor se sa Kosova.

Këshillat e aleatëve ndoshta edhe mund të na duken të padrejta, por, duhet marrë për bazë faktin se ligjin e bën i forti apo janë rezultat i marrëveshjeve të të fortëve. Nga kjo rrjedh se premisat morale nuk janë aq morale sa flitet, por janë rezultat i ndërveprimit të bazuar në realpolitikë.

Deri sa të kuptojë çka është realpolitika, Kryeministri do të mbetet lider i zakonshëm populist, deri sa veprimet e tij po vazhdojnë të kenë pasoja për shtetin.

Me të drejtë e thotë Rosalynn Carter, “Një lider i çon njerëzit atje ku ata duan të shkojnë. Një lider i madh i çon njerëzit atje ku ata nuk duan domosdoshmërisht të shkojnë, por duhet të jenë”.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit