Deputeti i LDK-së, Arben Gashi thotë se ndryshimet më të mëdha në skenën politike mund të ndodhin nëse Lëvizja Vetëvendosje bie nën 40 deputetë.
Sipas tij, një situatë e tillë do ta detyronte VV-në të hyjë në koalicione, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim të ri politik.“Besoj se ndryshimi më i madh po bëhet aty. Që mundet me ndryshuar skenën politike është se Vetëvendosja me ra nën 40 deputetë. Nëse vetëvendosja bie nën 40 deputetë i hapen mundësit edhe Vetëvendosjes për me kriju koalicion sepse i lind si nevojë sepse e ka një rrezik real. Po dhe partive tjera nëse Vetëvendosja nuk don me kriju partneritet të mirëfilltë dhe të qëndrueshëm, me bë parti të tjera koalicion dhe me i formu institucionet”, tha ai për gazetën Blic.
Ai paralajmëroi se, nëse VV mbetet mbi 40 deputetë dhe vazhdon me “të njëjtën gjuhë, sjellje dhe metodologji politike”, vendi rrezikon të përsërisë situatat aktuale të bllokadës institucionale.






