Pavarësisht skepticizmit të përhapur, Liga Pro Saudite po qëndron besnike ndaj strategjisë afatgjatë – me një ndryshim të qartë në mënyrën se si po afrohen përforcimet.
Në vend të emrave të mëdhenj në moshë të avancuar, tanimë janë në fokus lojtarë në kulmin e karrierës ose talente të reja premtuese.
Transferimet që flasin vetë
Dy prej goditjeve më të fundit në afatin kalimtar ilustrojnë më së miri këtë ndryshim të kursit, ku blerjet janë bazuar te talentet.
– Theo Hernandez – 27-vjeçari francez u transferua nga Milan te Al Hilal, pavarësisht interesimit të Atletico Madrid. Ai firmosi për tre vite me një total page prej 60 milionë eurosh.
– Mateo Retegui – Ish-sulmuesi i Atalanta-s dhe golashënuesi më i mirë në Serie A për sezonin 2024/25 (25 gola) kaloi te Al Qadisiyah për 67 milionë euro + bonuse.
Klubet saudite po investojnë edhe në të rinj të talentuar. Al Qadisiyah ka nënshkruar me: Christopher Baah (20 vjeç, Genk) – 17 milionë euro dhe Gabriel Carvalho (17 vjeç, Internacional) – 15 milionë euro. Ndërkohë, Al Nassr ka afruar një grup të ri brazilianësh 19-vjeçarë dhe më herët kishte transferuar Jhon Duran nga Aston Villa për 77 milionë euro (qëndrim jetëshkurtër).
Al Hilal, nga ana tjetër, vazhdon agresivitetin e tij në treg: pagoi 40 milionë euro për Marcos Leonardo nga Benfica.
Nga “ligë pensioni” në elitë për të rinjtë
Statistikat e tre afateve të fundit të transferimeve tregojnë se mosha mesatare e afrimeve ka rënë me 2.5 vite
Në dallim nga viti i parë aktiv (pas mbërritjes së Cristiano Ronaldos në janar 2023), kur dominonin emra si Benzema, Kante, Brozovic, Neymar, Mahrez dhe Mane, tashmë Arabia Saudite po e sfidon etiketimin si “liga e pensionit”.
Emrat si Moussa Diaby, Ivan Toney, Mohamed Simakan janë shembuj të afrimeve nga ligat elitare dhe në kulmin e karrierës.
Kush pritet të vijë këtë verë?
Afati kalimtar është ende i hapur dhe pritet një tjetër valë emrash të mëdhenj. Këto janë disa nga objektivat kryesorë: Ismael Bennacer, Ollie Watkins, Darwin Nunez, Gabriel Martinelli, Luis Diaz, Fabian Ruiz, Son Heung-min dhe Joao Felix (25, Chelsea).
Ndërkohë, disa lojtarë të njohur kanë refuzuar kategorikisht transferimin në ligën saudite: Alejandro Garnacho, Marcus Rashford, Rodrygo, Dusan Vlahovic dhe Moise Kean.
“Neom FC” – një klub nga e ardhmja
Një emër i ri po shfaqet me ambicie të mëdha: Neom FC – klubi i qytetit futurist Neom, i cili aktualisht ekziston vetëm në fazën e ndërtimit. I pozicionuar në veriperëndim të vendit, Neom pritet të jetë qyteti më inovativ në botë, me hekurudha me shpejtësi të lartë dhe pa automjete tradicionale.
Megjithëse ndërtimi i qytetit po has vonesa, klubi i futbollit tashmë është funksional dhe ambicioz – dhe synon të bëhet forca e pestë e madhe në ligë, krahas Al Hilal, Al Nassr, Al Ittihad dhe Al Ahli.
Përfundim
Pra, tani Arabia Saudite nuk është më vetëm një magnet për yjet e futbollit në moshë të shtyrë. Strategjia po evoluon, me përqendrim te lojtarët në kulm dhe talente të rinj.
Ambicia mbetet e pandryshuar: ta bëjnë ligën saudite një forcë reale në skenën ndërkombëtare të futbollit.