Arabia Saudite ka reaguar ashpër ndaj planit të ri të shpallur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka sinjalizuar vendosmërinë për një pushtim të plotë të Rripit të Gazës.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, Ministria e Jashtme saudite e cilësoi vendimin e autoriteteve izraelite si një hap të papranueshëm, duke e dënuar në mënyrë të prerë si një akt spastrimi etnik, që synon dëbimin sistematik të palestinezëve nga toka e tyre dhe përdorimin e urisë si armë lufte kundër popullsisë civile.
“Mbretëria e Arabisë Saudite dënon në termat më të ashpra vendimin e autoriteteve pushtuese izraelite për të pushtuar Rripin e Gazës dhe kundërshton me forcë krimet e vazhdueshme të urisë, brutalitetit dhe spastrimit etnik kundër popullit vëllazëror palestinez,” thuhet në deklaratë.
Kjo deklaratë vjen menjëherë pas deklaratave të fundit të Netanyahut, i cili ka theksuar se fitorja në Gaza është “çështje kohe” dhe se Izraeli nuk do të tërhiqet nga kontrolli mbi të gjithë territorin e Rripit të Gazës, duke hedhur poshtë çdo plan ndërkombëtar për një administratë palestineze ose ndërkombëtare pas luftës.
Zhvillimet e fundit kanë shkaktuar shqetësim të thellë në rajon dhe më gjerë, ndërsa shtetet e tjera po shtojnë thirrjet për një armëpushim të menjëhershëm dhe për ndihmë humanitare të pakushtëzuar për popullsinë civile, e cila sipas organizatave humanitare, po përballet me nivele katastrofike të urisë dhe zhvendosjes.